NATO e mirëpret hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mirëpritur qëllimin e dy linjave ajrore Eurowings dhe Grupit Lufthansa për të vendosur linje direkte mes Beogradit dhe Prishtinës, të nënshkruara sot në Berlin të Gjermanisë.

Stoltenberg e ka quajtur hap të rëndësishëm pasi që sipas tij, do të mundësohet qarkullimi i njerëzve dhe mallrave më lehtë dhe shpejtë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Komandanti i misionit tonë të KFOR-it ruan autoritetin në hapësirën ajrore mbi Kosovën, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dhe NATO do të mbetet i përfshirë përmes procesit të gjatë të Takimit të Normalizimit të Aviacionit në Ballkan, të cilin ne e udhëheqim”, thuhet në komunikatën e NATO-s të publikuar në faqen zyrtare.

Më herët, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se pret që të hënën në Berlin të nënshkruhet një letër për synimet e Ministrisë serbe të Ekonomisë dhe kompanisë së fluturimeve Lufthansa, për vendosjen e një linje ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës.

Kësaj letre i është gëzuar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Ai e ka quajtur hap të rëndësishëm për lëvizjen e qytetarëve dhe procesin e normalizimit mes dyja vendeve.

“Unë mirëpres Letrën e Qëllimit që Kosova dhe Lufthansa të hapin një rrugë ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit. Ky është një hap i rëndësishëm për lëvizjen e qytetarëve dhe procesin e normalizimit. Mirënjohës ndaj Nat. Sec. Këshilltar O’Brien dhe RichardGrenell për lehtësimin e procesit”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social ‘Twitter’, të hënën.

Linjë ajrore Prishtinë – Beograd?