NATO e kërcënon Moskën me sanksione në rast se trupat ruse e pushtojnë Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e ka kërcënuar Moskën me sanksione të rënda ekonomike në rast se presidenti Vladimir Putin e sulmon Ukrainën, duke këmbëngulur se “diplomacia është mënyra e vetme reagimi për ta zgjidhur këtë krizë të mundshme”, shkruan Euronews.

Tensionet rreth grumbullimit të trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës, qeveria e së cilës po kërkon të anëtarësohet me NATO-n dhe Perëndimin, kanë qenë në fokus të udhëtimit njëjavor të Blinken në Evropë dhe ishin në krye të agjendës në takimin e tij me homologët e NATO-s në Letoni këtë të mërkurë.

“Nuk e dimë nëse presidenti Putin ka marrë vendimin për ta pushtuar Ukrainën. Ne e dimë se ai po krijon kapacitete për ta bërë këtë në një kohë të shkurtër nëse ai vendos kësisoj. Ne duhet të përgatitemi për të gjitha rastet”, tha Blinken.

Ai shtoi se SHBA-ja “i ka bërë të qartë Kremlinit se ne do të përgjigjemi me vendosmëri, duke përfshirë një sërë masash ekonomike me ndikim të madh, kapacitete këto të cilat nuk i kemi përdorur në të kaluarën”.

Bliken shtoi se “NATO është e përgatitur ta përforcojë mbrojtjen e saj në krahun lindor”, pa dhënë detaje.

NATO-ja tashmë ka forca të stacionuara në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni.

Blinken tha gjithashtu se do të kërkojë nga ministri i Jashtëm Sergei Lavrov t’i kthehej bisedimeve nën formatin “Normandy”, me SHBA, Francën dhe Gjermaninë, gjatë takimit të tij me kryediplomatin rus në Suedi sot, ditën e enjte.