Ilustrim

NATO do ta rrisë mbështetjen ushtarake për Ukrainën

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi sot se NATO do ta rrisë mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Këtë e bëri të ditur Stoltenberg përmes një postimi në Twitter, duke njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

“Sapo fola me Presidentin Zelenskyy dhe e përgëzova për trimërinë e popullit dhe forcave të armatosura të Ukrainës. Aleatët e NATO-s po rrisin mbështetjen me raketa të mbrojtjes ajrore, armë anti-tank, si dhe ndihma humanitare dhe financiare”, tha Stoltenberg.

Sot është dita e pestë e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.