Foto: REL/Reuters

NATO: Çdo lëvizje e FSK-së drejt veriut duhet të miratohet nga KFOR-i

Çdo lëvizje e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) drejt veriut duhet të miratohet paraprakisht nga komandanti i KFOR-it.

Kështu ka bërë të ditur një zyrtar i NATO-s një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

“Misioni ynë mbetet i pandryshuar, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë në Kombet e Bashkuara. Ne jemi këtu për të ofruar një ambient të sigurt për të gjithë në Kosovë dhe kjo është ajo çfarë jemi duke bërë. Në të njëjtën kohë, jemi duke shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit të NATO-s me FSK-në pas tranzicionit në ushtri”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Po ashtu, në përgjigje theksohet se NATO nuk e ka ndryshuar mandatin dhe do të vazhdojë me misionin paqeruajtës.

“NATO do të vazhdojë me mbështetjen ndaj dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si zgjidhje e vetme e qëndrueshme politike në rajon”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

Kryeministri  Kosovës, Albin Kurti ka publikuar një marrëveshje sekrete që Hashim Thaçi e kishte arritur me NATO-n më 19 prill të 2013, në ditën kur në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar marrëveshja për asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Kurti përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me Implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.

Dosja e marrëveshjeve sekrete të Hashim Thaçit që i ndalon FSK-së të shkojë në veri