Britania e Madhe, Foto: Pixabay

“Natë të suksesshme” e konsideron Policia reagimin me marshe në Angli

Mijëra protestues kundër racizmit janë mbledhur në qytetet dhe qytezat e Anglisë të mërkurën mbrëma, në një natë që Policia e ka konsiderua si “të suksesshme” për nga aspekti i menaxhimit të sigurisë pas trazirave që përfshin disa pjesë të vendit, raporton BBC.

Ata marshuan si kundërpërgjigje ndaj trazirave të nxitura nga thirrjet antiemigrante, të shkaktuara nga informacionet e rrejshme pas therjes fatale të tri vajzave të vogla më 29 korrik në Southport.

Mijëra policë shtesë ishin nxjerrë në rrugë, por protestuesit ishin kryesisht paqësorë, me pak incidente të raportuara.

Shefi i Policisë Britanike, Mark Rowley, e ka quajtur “një natë shumë të suksesshme”, duke shprehur mirënjohjen për pakënaqësinë e shprehur paqësisht për shkak të shqetësimeve të mëhershme se do të mund të kishte përshkallëzim të situatës.

Por Qeveria dhe policia do të jenë në gjendje gatishmërie nëse përshkallëzohet situata, që në të vërtetë duket se më në fund po qetësohet pas trazirave që rezultuan me më shumë se 400 persona të arrestuar dhe 140 të nxjerrë para drejtësisë.

“Ka kriminelë, ata janë banditë, ata nuk janë patriotë”, ka deklaruar Rowley për BBC-në.

Policia britanike ka kryer edhe sot në mëngjes operacione të bastisjes dhe arrestimit të personave që “ishin seriozisht të dhunshëm” në trazirat e javës së kaluar – 70 për qind e të arrestuarve kishin të kaluar kriminale.

Ai ka thënë se ata “nuk janë as protestues”, duke shtuar: “Çfarëdo sugjerimi se ata janë patriotë ose se kanë një kauzë pse po protestojnë është e pakuptimtë – ata janë kriminelë”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com