FOTO FACEBOOK: Bekim Jashari

Nata e Zjarreve përmbyll Epopenë e UÇK-së

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është përmbyllur sonte me manifestimin Nata e Zjarreve në Prekaz, ku është ndezur edhe flakadani pranë Kullës së Qëndresës.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka falënderuar qytetarët e shumtë që kanë vizituar për tre ditë radhazi Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“Mijëra falënderime nga zemra për mijëra bashkëkombas që për tri ditë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vizituan Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në nderim të  heronjve e dëshmorëve tonë,  luftës heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe gjithë atyre që dhanë jetën për Liri e Pavarësi”, thuhet në publikimin e Jasharit.

Manifestimi nisi më 5 mars, ku fillimisht në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore iu kushtua Epopesë së UÇK-së, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Në të njëjtën ditë u mbajt seanca solemne nëpër të gjitha kuvendet komunale, u hap ekspozita “Kujtesa e Kosovës – Adem Jashari – rrëfime për të bëmat dhe heroizmin”, në Bibliotekën Kombëtare, si dhe u mbajt parada e FSK-së në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.

6 marsi nisi me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ekspozita me fotografi, si dhe përfundoi me një akademi përkujtimore në Prishtinë.

Në ditën e tretë të manifestimit u mbajt një turnir në shigjetari në Skenderaj dhe një tjetër i shahut në Prishtinë.