"EtnoFest 2024”. Foto: EtnoFest.
Nata e tretë e “EtnoFest 2024”: Poezia dhe lashtësia, fotografi ndjenjash ku dëshirojmë të jemi
Mbrëmja e tretë nisi me poetë të cilët lexuan poezitë e tyre duke i dhënë festivalit një tingëllimë që shkon përtej fjalës dhe bëhet ndjenjë ngazëllim apo shqetësim.
Ashtu siç është mbretëreshë e arteve erdhi sonte në “EtnoFest” përmes poetëve: Primo Shllaku, “Po të kisha unë fillim ti nuk do të kishe fund”. Lulëzim Haziri, “Poetët kanë veglat për ta kapur çastin e lumturisë”. Ariola Shkodrane, “Gruaja …është vetja qielli e toka”. Vlora Kunushevci, “Lumturia është mos me të cingërrue telefoni natën mos me marr ndonjë lajm të keq… derisa po pres të tana qeveritë me u kalb e me sherby si hi…e dashnorët sheshet me i mbushë”; Halil Matoshi, “U takuam shekujsh habitshëm….; Ilaz Hysaj, “Vitet…që nuk i njehi më … në valixhe s’ka më vend për të kqija kujtime” e Vlora Ademi “Dimnat e fëminisë…”.
Për t’iu dhënë poezive kuptime shtesë u kujdes aktorja Sheqerie Buçaj, e cila për kënaqësinë e pjesëmarrësve dhe vetë autorëve e lexoi nga një poezi të secilit duke vë një komunikim artistik me auditorin. Me paraqitjet e tyre poetët e përmbushën hapësirën me ndjenjën e bukur që në sfond përcillej me flaut dhe çelo derisa plaka Aziza nga Prizreni rregullonte nusen ilire (Erletë Elezkurtaj) një fotografi e bukur shpirti në të cilën të gjithë duamë të jemi aty ku shënjon “EtnoFesti”.
Pikëtakimi i poezisë me teatrin
Poezia e krijoj ambientin për të ndodh shfaqja “Jermi kujtimesh” në hapësirën, skenën të mbushur me eksponate të trashëgimisë etnikografike, në miniaturë, derisa në një punkt përgatitej nusja ilire si traditë që “EtnoFesti” tashmë e ka bërë shenjë identiteti… aktorët Sheqerie Buçaj dhe Shpetim Kastrati, një çift skenik po kujtonin eksponatet duke treguar për përdorimin dhe rëndësinë e tyre.
Gruaja (Sheqerie Buçaj) po e përgatiste bukën në çerep si traditë e gatimit. Pastaj herë njëri herë tjetri brenda marrëdhënies tregojnë për magjen ku është ruajt mielli për gatim, për larësen e këmbëve të burrit- një ritual nënshtrues për gruan përcjellë me mesazhin se diçka e tillë nuk duhet përsëritur më si raport burrë – grua. Ata gërshetuan traditën dhe dashurinë, ushqimin në sofër… vekun ku janë bërë kostumet… këngët e vjetra të dashurisë… një udhëtim nëpër kohët kur mungesën e diçkajes e ka plotësuar çiltërsia dhe besimi tek dashuria, e cila i ka bërë që çasti i lumturisë të zgjatet.
Buka e çerepit u poq… nusja u bë gati… shfaqja kapi kulmin kur buka u nxor nga zjarri i jetës tradicionale.
Fadili shkroi një poezi skenike që të lumturon edhe si temë edhe si proces duke na e dëshmuar vërtetësisht se poezia edhe kur nuk shkruhet ajo ndodhë dhe përqon ndjesi.
Shfaqja “Jermi kujtimesh” si grishje e kujtesës
“Jermi kujtimesh” u bë realitet poetik i pikëtakimit me veten dhe bukurinë e të qenunit vetja një prodhim kujtimesh që na kthyen tek nevoja të jemi njerëz andaj kthemi te e vjetra qoftë edhe në kujtesë për ta gjetur njerëzoren.
Fadil Hysaj e ngre në filozofi të organizuar skenikisht një materie etnografike me shenja e mesazhe të qëndrueshmërisë të asaj që është e jona me fytyrë fisnike e me atribute njerëzore që po humbasin.
Të gjithë performancën e ilustruan mishërueshëm me temën tingujt muzikor të çelos dhe flautës të ekzekutuar nga Afrora Kabashi dhe Zana Abazi. Fundi ishte me prishje të murit të katërt të teatrit. Nusja e rregulluar me motive ilire ofroj nga një kashore bukë çerepi për secilin spektatorë që ata jo vetëm të ndjejnë por edhe të provojnë diçka nga ajo e vjetra që ka të bëjë me mikpritjen.
Dhe vërtetë këtë natë magjike ku triumfi i poezisë u ekzekutua në skenë dhe ashtu të gërshetuara teatri dhe poezia edhe pse me elemente surealiste, vargjet poetike dhe vlerat e lashtësisë prodhuan ndjenjë lumturimi te pjesëmarrësit poetët dhe aktorët të gjithë.
Vazhdon “Laboratori i Grorovskit” nën drejtimin e Mario Biaginit
Vijuesit tashmë kanë hyr në procesin e krijimit të shfaqjes “Të etshmit” si produkt i laboratorit. Përvoja e mënyrë specifike të ndërtimit të personazhit duke hulumtuar energji të pashfrytëzuara e ndjesi të ndrydhura Mario insiston që e brendshmja të dal jashtë “ashtu siç ajo do vetë” e jo aktori ta detyrojë apo ta formësojë siç do ai.
Laboratori po i jep gjallëri “EtnoFestit” si një përvojë e re në kërkim të asaj që ndoshta nuk e dimë që e kemi aty.
“Etno neja” me Nezafete Shalën
Nata u mbyll me “Etno nejen” me këngë të vjetra të kënduara nga Nezafete Shala dhe grupi. Mysafirët e shumtë provuan ushqime tradicionale pite të ndryshme, me presh, kungull, djathë, fli dhe specialitete nga skara. Kënduan e vallëzuan të përmbushur ndjenjash deri në orët e vona, përmes tingujve të këngëve muzikor zhvillohej rituali i pjekjes së filiave. Disa tjerë kënaqeshin me punimet e ekspozuara të piktorëve e skulptorëve të cilët kanë pasuruar përmbajtjen e “EtnoFestit 2024”.