Nata e çmimeve mbylli edicionin e sivjetmë të festivalit ‘Etnofest'

Me ndarjen e çmimeve për më të mirët e edicionit, mbrëmë në Kukaj të Prishtinës është mbyllur edicioni i 9-të i festivalit të arteve dhe kulturës tradicionale “Etnofest”.

Pavarësisht shiut dhe problemeve me energjinë elektrike, numri i madh i vizitorëve dhe melodia mbresëlënës e grupit “Melodia e vjetër” krijuan një atmosferë elektrizuese në natën përmbyllëse të këtij festivali.

Në këtë atmosferë u ndanë edhe çmimet. Në fushën e teatrit, çmimin “Regjia më e mirë” e mori Kushtrim Bekteshi për shfaqjen “Duet për një”, kurse shfaqja më e mirë u shpall shfaqja “Karrigat” me regji të Astrit Bytyqit.

Çmimi “Aktori më i mirë” i takoi Valmir Krasniqit, për interpretim në shfaqjen “Karrigat”, kurse çmimi “Aktorja më e mirë” iu dha Vjollca Bekteshi- Hamitit për  shfaqjen “Duet për një”. Ndërsa Çmimi i Karrierës shkoi Vebi Qerimin, për rolin e tij në shfaqjen “Duet për një”.

Ndërsa nga fushën e etnografisë, çmimi për “Kostumet më të mira” shkoi për Rica Mende nga Berlini, çmimi “Valltari më i mirë” iu dha valltarit nga Vitia, Adem Limani, çmimin “Rapsodi më i mirë” e mori Daut Zeneli nga ansambli “Fortesa” e Kërçovës. Çmimin “Ansambli më i mirë” iu dha etno- ansamblit “Gjergj Arianiti” nga Mallakastra e Shqipërisë. Ndërsa etno- performanca më e mirë u shpall ansambli ‘Fortesa” nga Kërçova.

U ndanë edhe dy çmime. Çmimi special iu nda  grupit polifonik të grave “10 shqiponjat e Tërbaqit” nga Himara dhe çmimi për trajtimin vokal të këngëve tradicionale ansambli vokal “Zanat” nga Prishtina.

Gjatë 6 ditëve sa ka zgjatur edicioni i sivjetmë i Etnofestit janë mbajtur një sërë aktivitetesh, si ekspozita, shfaqja teatrale, fila, debate për trashëgiminë, punime artizanatesh dhe të kulinarisë tradicionale, etno- koncerte me ansamble mbarëshqiptare e performanca tjera muzikore.

Këtë vit, temë qendrore e edicionit ishte shtëpia e shqiptarit – “Shtëpia e Zotit dhe e mikut”.

Ilaz Hysaj drejtor artistik i festivalit ka potencuar në një prononcim për Kallxo.com se zgjedhja për trajtim i temës për shtëpinë shqiptare parë në shumë dimensione vjen si rezultat i trajtimit që i është bërë këtij segmenti me rëndësi të trashëgimisë kombëtare, sidomos dekadave të fundit.

“Kjo është tepër shqetësuese sepse jemi duke e zhdukur një segment të rëndësishëm  të kulturës sonë materiale që ndërtuam me shekuj”, ka thënë Hysaj.

Foto: Atdhe Mulla