Nata e aksidenteve në rajonin e Prishtinës

Brenda pak orëve, mbrëmjen e sotme janë regjistruar tri aksidente trafiku në rajonin e Prishtinës.

Si pasojë e këtyre aksidenteve, tre persona kanë pësuar lëndime, njëri prej tyre i moshës së mitur.

Fillimisht u raportua për një aksident trafiku në Graçanicë, në të cilin mbeti i lënduar një fëmijë, i cili u godit nga një veturë derisa po drejtonte biçikletën.

Zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka thënë për KALLXO.com se si pasojë e goditjes nga vetura, i mituri ka pësuar lëndime trupore.

Aksidenti i dytë u raportua pas disa minutave, po ashtu në rajonin e Prishtinës.

Bajram Krasniqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës konfirmoj një aksident trafiku në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës, në të cilin u përfshinë shtatë vetura.

Fatmirësisht në këtë aksident, sipas Krasniqit, asnjë person nuk pësuar lëndime.

Pas disa minutave, u raportua për një aksident tjetër, në rrugën B në Prishtinë, por ky aksident nuk kaloj pa të lënduar.

Zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, tha për KALLXO.com se si pasojë e aksidentit në të cilën u përfshinë dy vetura, dy persona kanë pësuar lëndime.

Të lënduarit nga ky aksident sipas Ahmetit janë dërguar për tretman mjekësor.

Në bazë të raportit të fundit të  Policisë së Kosovës, brenda 24 orëve kanë ndodhur gjithsej 61 aksidente trafiku, dy prej tyre me fatalitet.

Nga 61 aksidentet e policisë, në 14 prej tyre ka pasur persona të cilët kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa 45 të tjerë kanë kaluar me dëme materiale, pa ndonjë person të lënduar.

 

Aksident trafiku me fatalitet 2
Aksident trafiku  me të lënduar 14
Aksident trafiku  me dëme materiale 45