Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nasim Haradinaj niset për në zyrat e OVL- UÇK-së

Nënkryetari i OVL e UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se do ta shoqërojë kryetarin Gucati pas arrestimit të tij nga policët e EULEX-it.

Haradinaj ka thënë për KALLXO.com se është duke shkuar tek zyrat e OVL -UÇK-së.

“Ndaj Z. Hysni Gucatit ende nuk është kryer procedura e arrestimit, m’tha që po e arrestojnë edhe janë duke më pritur edhe mu me shku atje, jam nis prej Deçanit, sepse më duhet të shkoj edhe unë atje me i nënshkru procedurat dhe si nënkryetar më duhet ta shoqërojë Gucatin”, tha ai.

Avokati i OVL- UÇK Tomë Gashi ka njoftuar se është arrestuar kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati. Arrestimi i tij është bërë nga ana e njësisë speciale të EULEX-it. Sipas Gashit, ai pritet të transferohet në Hagë.

Njësitet speciale të Policisë së EULEX-it kanë hyrë në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Xhavit Jashari, përfaqësues i familjeve të dëshmorëve ka thënë para mediave, se njësia e policisë së EULEX-it është futur në zyrat e OVL-së pa asnjë paralajmërim.

“Në kërkuam arsye pse janë fut pa paralajmërim pa ndonjë urdhëresë që t’i bastisin zyrtar por mendoj se turpi i gjithë kësaj është nga institucioni më i lartë nga institucionet tona, dhe ne sot kërkojmë që të këndellen dhe të mbushen mend të gjitha ata që janë ul në postet kryesore të vendit”, ka thënë Jashari.

Ai tutje ka thënë se me ngjarjen e sotme po vërtetohet se Gjykata Speciale po shkel mbi luftën e UÇK-së.

Sekretari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka folur para mediave në lidhje me bastisjen që janë duke e bërë policia e EULEX-it në zyret e kësaj organizate

Ai tha se ishte duke pirë kafe kur kanë arritur policia si dhe sipas tij me ta është një hetues i Gjykatës Speciale.

“Isha duke pirë kafe dhe e pashë korridorin e mbushur që besoj ata janë konsultuar me shtetin dhe me ta është hetuesi i dhomës së specializuar dhe i cili i ka marrë edhe dosjet e tjera të Gjykatës”, tha ai.

Aksioni i EULEX-it është bërë disa ditë pasi OVLUÇK publikoi në tri seri dosje të Gjykatës Speciale.

Arrestohet Hysni Gucati