Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nasim Haradinaj komenton arrestimin e parë të Gjykatës Speciale

Sot, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi për arrestimin e parë në Kosovë. Për arrestimin e ish-luftëtarit të UÇK-së kishte asistuar edhe Misioni për Sundimin e Ligjit  në Kosovë, EULEX.

Salih Mustafa u transferua në paraburgim në Hagë të Holandës pasi aktakuza e tij u konfirmua nga një gjyqtar i procedurës paraprake.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka fajësuar deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët në vitin 2015 kishin votuar pro formimit të një institucioni të drejtësisë me seli në Hagë të Holandës.

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës votoi me dy të tretat për formimin e Gjykatës Speciale e cila përbëhet nga një staf ndërkombëtar.

“Ata (EULEX) e kanë marr qytetarin tanë kur iu ka tekë. Kjo është ai rezultati i deputetëve që mburreshin me votimin e Gjykatës Speciale, tash ta marrin qytetarin ndërkombëtarët këtu pa e ditur ti këtu çka bëhet”, tha Haradinaj për KALLXO.com.

Ai ka thënë se qëllimi  i luftëtareve të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte që të krijonin një shtet ndërsa tha se nuk mund t’i udhëzojnë sesi të veprojnë bashkëluftëtarët në rast të kërkimit nga Gjykata Speciale.

“Bashkëluftëtaret tanë tashmë nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër, ata kanë luftuar për një shtet, për një aparat shtetëror e për një Kushtetutë e edhe për një Parlament”, thotë nënkryetari i OVL-UÇK-së.

“Nuk është çështje e jona të i themi dikujt të dorëzohet apo të mos dorëzohet, tani ajo është çështje e individit. Unë po du me shpresu që arrestimi i sotëm nuk është bërë vetëm nga EULEX-i, pa organet tona. Nëse ajo punë është bërë, ne nuk po jetojmë në këtë shtet”, tha ai.

Sot, përmes një njoftimi Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se arrestoi Salih Mustafa, i cili njihet edhe me pseudonimin Cali. Mustafa ishte ftuar për intervistim në fund të vitit 2019 në Hagë të Holandës.

Salih Mustafa gjatë kohës së luftës së UÇK-së ka qenë epror i Zonës Operative të Llapit.