Naser Rugova thotë se ka gjasë të mos ketë fituar votat për deputet

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, ka bërë të ditur se ka gjasa që të mos ketë fituar votat e nevojshme në zgjedhjet e 6 tetorit edhe për një mandat.

Rugova në rrjetin social Facebook ka shkruar se në bazë të të dhënave të para, duket që kësaj here nuk do të jetë pjesë e Kuvendit.

“Dua të ju siguroj që unë nuk jam nga ata që fajin për këtë e kërkon në teori konspirative, reale apo imagjinare, pasi që konsideroj se interesi i LDK është më i rëndësishëm se hatërmbetjet individuale”, thuhet në publikimin e tij.

Ish-deputeti ka shtuar se do ta vazhdojë angazhimin e tij në LDK si anëtar dhe veprimtar.

“Ju siguroj që do të vazhdoj me angazhimin tim në LDK si antar dhe veprimtar, gjithnjë i përkushtuar në vendosmërinë time për të përkrahur kauzën e lidhjes sonë. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen në favor të kandidaturës sime. Mirë u takofshim në angazhimet tona të ardhshme”, ka shkruar ai.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, LDK-ja renditet e dyta, pas Lëvizjes Vetëvendosje, përderisa ende nuk dihen emrat e deputetëve të ardhshëm.