Prof. Dr. Naser Ramadani. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Naser Ramadani: Kemi rënie prej 75% të rasteve me COVID-19
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka thënë se në dy javët e fundit ka një rënie prej 70% të rasteve të regjistruara me COVID-19 në Kosovë.
Ramadani ka shtuar se përkundër uljes së numrit të rasteve gjendja është jostabile.
“Në dy javët e fundit kemi një rënie prej 75% të rasteve me COVID-19 në vend. Por, përkundër kësaj, situata është ende jostabile, akoma është brengosës ky numër i madh i rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19. Gjithashtu kemi edhe një zvogëlim të rasteve aktive për katër herë, sot i kemi rreth 6 mijë raste aktive. Përkundër këtyre masat duhet të respektohen me rigorozitet sidomos ato që janë në fuqi, maskat, distanca, higjiena dhe vaksinimi”, tha ai.
Ndërsa drejtori i ShKSUK-së, Valbon Krasniqi, theksoi se edhe në spitalet regjionale dhe klinkat e QKUK-së ka rënie të numrit të të spitalizuarve me COVID-19.
“Gjendja në klinika është shumë më e qetë krahasuar me tre javët e kaluara. Tani janë duke u trajtuar 455 pacientë në klinikat e QKUK-së ndërsa veç në javët e parë të këtij muaji kishim 750 pacientë që ishin duke u trajtuar në këto klinka pra kemi një rënie prej 30%. Në QKUK që nga dje kemi filluar edhe rikthimin e shërbimeve. Më gjithë këtë rënie të numrit të të hospitalizuarve ne duhet të kemi vigjilencë. Kemi lajme shumë më të mira sesa para tre jave. Ne duhet të shohim edhe më tutje zbatimin e masave”, tha Krasniqi.
Ministria Vitia: Shkollat dhe çerdhet hapen të hënën