Naser Ramadani i thotë Thaçit se bartja e maskës është kushti bazik për parandalim të COVID-19

Në vizitën e Presidentit Thaçi në Klinikën Infektive pjesëmarrës ishte edhe Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike i cili foli më shumë për rritjen e numrit të rasteve si dhe nevojën që të respektohen sa më shumë masat ndaj COVID-19.

“Siç edhe po shihet numri i rasteve po rritet çdo ditë e më shumë prandaj për neve është alarmante që ta ulim lakoren epidemiologjike e cila varet jo vetëm nga masat e qeverisë por edhe kujdesi i qytetarëve të cilët duhet të respektojnë masat bazike si bartja e maskës, distanca dhe higjiena,” u shpreh Ramadani.

Ai tutje shtoi se masat e marra nga qevrria duhet të kontrollohen nga organet përgjegjëse.

“Të gjitha masat e marra nga qeveria mund të realizohen nga qytetarët dhe duhet të kontrollohen nga inspektoratet e të gjitha llojeve në nivel shtetëror dhe policia sepse vetëm me anë të veprimit të përbashkët mund të ia dalim,” shtoi tutje Ramadani.

Në shumë vizita e takime ditëve të fundit, presidenti Thaçi ka dalë pa maskë ndërsa e ka vendosur atë gjatë një takimi të djeshëm dhe në vizitën e sotme në QKUK.