Donjeta Pajazitaj - Foto: Facebook

Naser Pajazitaj dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Naser Pajazitaj është dënuar më burgim të përjetshëm nga Gjykata e Ferizajit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Rasti i vrasjes së Donjeta Pajazitaj kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën e Pejës, ku herën e parë ishte shpallur i pafajshëm, kurse herën e dytë ishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar dhe kthyer në rigjykim.

Edhe Gjykata e Ferizajt e kishte dënuar me burgim të përjetshëm por rasti ishte kthyer në rigjykim.

Kryetari i trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën e Ferizajt, Ibrahim Idrizi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave, dëgjimit të palëve, të pandehurin Naser Pajazitaj, e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm.

I pandehuri Naser Pajazitaj akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit – Komuna Deçan, në vendin e quajtur te ’’Kroni i Lajthisë”, duke qenë edhe me parë i dënuar për vepër penale të vrasjes së rëndë, me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta, ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë, në këmbë nëpër rrugën në drejtim të Strrellcit të Epërm dhe kur afrohet në afërsi të shtëpisë së Naser Pajazitaj, kaloi i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij, i cili u ndal e meri viktimën me veturë.

Më pas vazhdoi në drejtim të bjeshkëve të Strellcit, dhe kur ka arritur tek “Kroni i Lajthisë” e privoi nga jeta me armë duke shtënë dy herë në kokë dhe u largua nga vendi i ngjarjes, kurse kufoma e viktimës ishte gjetur më 17 dhjetor 2015 në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.