Foto: REL/Shutterstock

Naiviteti në prokurimin e vaksinës i kushton shtrenjtë Maqedonisë së Veriut

Besimi i Shkupit se vendet do të vepronin sipas rregullave prokurimin e vaksinave kundër COVID-19 e ka lënë atë pas Europës e madhe edhe pas disa fqinjëve të saj për sa i përket imunizimit.

Ndërsa vendet në të gjithë botën nxitojnë të sigurojnë vaksinat për COVID-19, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit që nuk janë pjesë e BE-së kanë nxjerrë edhe një mësim të ashpër në “realpolitik”.

Mësimi është se parimet e barazisë dhe qasjes së drejtë në mbrojtjen shëndetësore janë të vlefshme vepër nëpër konferenca, në deklarata boshe dhe në deklarata të ëmbla diplomatike.

Në realitet, pushteti, interesat egoiste dhe shkathtësia, si në rastin e Serbisë, janë ato që mbizotërojnë.

Duke gjykuar nga njoftimet e fundit zyrtare në Maqedoninë e Veriut, vaksinimi duhet të fillojë në shkurt.

Ndërkohë, Britania, vendi i parë nga hemisfera perëndimore që filloi imunizimin, tashmë ka vaksinuar 4.5 milion banorë, sipas One World In Data.

Gjermania dhe Italia kanë vaksinuar secila nga 1,1 milionë banorë, ndërsa fqinjët e Maqedonisë së Veriut në BE, Greqia dhe Bullgaria, kanë vaksinuar përkatësisht 85,000 dhe 18,000 banorë.

Besimi në mekanizmin COVAX

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut vepruan në mënyrë naive që në fillim, duke besuar se vendi do të merrte vaksinat e nevojshme nëpërmjet mekanizmit COVAX për qasje të drejtë në vaksinë – dhe fondit solidar të BE-së.

Ata u zunë në befasi kur edhe fqinjët e tyre, më herët sesa pritej, para Vitit të Ri, blenë vaksina direkt nga prodhuesit dhe filluan menjëherë imunizimin.

Pamjet e presidentit serb Aleksandër Vuçiç teksa priste dërgesat e para të vaksinave në aeroportin e Beogradit i bënë shumë maqedonas të pakënaqur, duke bërë që autoritetet të përpiqen ta neutralizojnë këtë shqetësim duke bërë rregullimet e nevojshme për të siguruar 800,000 doza vaksinash nga Pfizer.

Ministria e Shëndetësisë, megjithatë, ka një tjetër këndvështrim për gjërat. Ajo tha për BIRN se vendi nuk kishte asnjë mundësi në fillim të mbërritjes së vaksinave për të negociuar drejtpërdrejt me prodhuesit, pasi vetëm vendet anëtare të BE-së ishin në gjendje ta bënin këtë.

“Ministria e Shëndetësisë nisi bisedimet e drejtpërdrejta me prodhuesin sapo ky opsion u bë i mundur”, këmbënguli ministria.

Por këtë vjeshtë, gjatë daljeve të tij të shumta në publik, ministri i shëndetësisë Venko Filipce nuk e përmendi fare blerjen direkte të vaksinave. Ndërkohë, Serbia, një tjetër vend jo anëtarë i BE-së, arriti një marrëveshje me Pfizer që në nëntor.

Konfirmimi indirekt se autoritetet në Shkup as që i kishin marrë parasysh negociatat e drejtpërdrejta me prodhuesit e vaksinave vjen nga fakti se ata u kujtuan vetëm në fund të dhjetorit për të ndryshuar Ligjin për Prokurimin Publik në mënyrë që të thjeshtojnë dhe përshpejtojnë procedurat e negociatave me prodhuesit e vaksinave.

Ndryshimet ligjore janë ende në parlament dhe janë planifikuar të kalojnë në votim më 25 janar.

Kjo është arsyeja pse Ministria e Shëndetësisë nuk ka nënshkruar ende një marrëveshje me Pfizer, dhe pse ministri Venko Filipce në deklaratat e tij për mediat ende flet për doza të rezervuara, jo doza të porositura.

“Procesi i drejtpërdrejtë i prokurimit, si dhe kontrata me prodhuesin e vaksinave Pfizer, është në fazat e tij të fundit”, tha ministria për BIRN.

Filipce tha për mediat javën e kaluar se mekanizmi COVAX do të funksiononte nga shkurti, siç u njoftua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, e cila qëndron pas këtij sistemi të shpërndarjes së drejtë të vaksinave.

Sa për vaksinat që vendi pret nga vendet anëtare të BE-së, ministria i tha BIRN se pret dërgesat e para pas marsit, duke shtuar se kjo është ajo që i thanë ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së.

Në total, Maqedonia e Veriut këtë vit pret rreth 2.4 milionë vaksina përmes tre kanaleve të ndara, secili duke furnizuar afërsisht 800,000. Duke qenë se një person ka nevojë për dy doza vaksinash, kjo do të ishte e mjaftueshme për 1.2 milion nga afërsisht 2 milionë banorë që ka vendi.

Ky numër qytetarësh të imunizuar duhet të jetë i mjaftueshëm për të arritur “imunitetin e tufës”. Autoritetet shëndetësore presin që imunizimi midis 60 deri në 70 për qind të popullsisë të mundësojë rezultatin e kërkuar.

Shkupi vazhdon me vaksinën Pfizer

Edhe sikur vaksinat Pfizer të kishin mbërritur më herët, në të njëjtën kohë si në Serbi, në dhjetor, nuk ka gjasa që Maqedonia e Veriut të kishte më shumë se 20,000 doza në këtë pikë.

Sipas planit të dorëzimit tëpublikuar nga ministri Filipce, vendi do të marrë pak më shumë se 5,000 doza në muajin e parë, shkurt, dhe rreth 17,000 në muajin e dytë, mars.

Kjo shumë do të ishte e mjaftueshme për të filluar vaksinimin e punonjësve kryesorë shëndetësorë në spitalet COVID. Megjithatë, për një imunizim më të gjerë do të duheshin shumë më tepër sesa këto 5,000 doza të para nga Pfizer, plus 8,000 doza që Serbia i premtoi Shkupit në fillim të kësaj jave.

Deri më tani, Serbia fqinje nuk ka më shumë se disa dhjetëra mijëra doza të vaksinës Pfizer.

Prandaj, sipas asaj që dihet publikisht, skenari i vetëm në të cilin Maqedonia e Veriut tani do të fliste seriozisht për imunizim masiv, pa pritur COVAX, do të kishte qenë nëse ajo gjithashtu do të kishte siguruar më parë prokurimin e vaksinave kineze ose ruse.

Në intervistën e tij të fundit për stacionin televiziv të Maqedonisë Veriore Sitel të shtunën, Filipce nuk tha drejtpërdrejt atë që po ndodhte me prokurimin e njoftuar më parë të 200,000 vaksinave kineze që kryeministri Zoran Zaev kishte përmendur.

Në vend të kësaj, ai theksoi se imunologët i kanë dhënë përparësi vaksinës Pfizer, e vetmja e aprovuar nga rregullatorët europianë dhe amerikanë të ilaçeve, EMA dhe FDA.

“Në fakt, ne certifikata nga EMA dhe FDA për shumë ilaçe dhe produkte të tjera”, shtoi ministri.

Përgjigja e ministrisë ndaj një pyetje të BIRN rreth një blerje të mundshme të vaksinës ruse Sputnik gjithashtu pasqyron kujdesin e saj.

E pyetur nëse planifikonte të fliste drejtpërdrejt me Rusinë, pasi Rusia tashmë e ofroi vaksinën e saj, ministria dha një përgjigje pa lidhje.

“Sipas njoftimeve nga mekanizmi COVAX, vendi ynë do të marrë fillimisht vaksinën Pfizer dhe pastaj atë nga AstraZeneka”, tha ajo.

Pra, mund të arrihet në përfundimin se strategjia e vendit për vaksinimin bazohet në këtë kujdes të paraqitur nga Filipce dhe Ministria e Shëndetësisë, edhe pse ministri gjithashtu ka theksuar se kjo qasje nuk do të thotë se vendi i sheh vaksinat kineze, për shembull, si jo të sigurta.

OBSH-ja e shqetësuar për shpërndarjen e pabarabartë të vaksinës

Në Ballkanin Perëndimor, me përjashtim të Serbisë, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi janë në të njëjtën situatë si Maqedonia e Veriut.

Këto vende njoftuan gjithashtu se vaksinimet do të fillojnë në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit.

Situata është e ngjashme në Shqipëri, e cila filloi vaksinimin me një sasi simbolike prej 900 vaksinash. Kryeministri Edi Rama nuk tregoi vendin nga erdhi kjo sasi modeste vaksinash.

Shpërndarja e pabarabartë e vaksinave në nivel global është kritikuar ashpër nga Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili vjen nga Etiopia e varfër në Afrikën Lindore.

Më 18 janar, ai tha se vendet e pasura kishin marrë deri më tani më shumë se 39 milionë doza ndërsa disa kombe me të ardhura të ulëta kishin marrë nga 25 doza të vogla secili. “Jo 25 milionë, as 25,000, por vetëm 25 doza”, tha ai.

Adhanom Ghebreyesus e konsideroi të papranueshme që ndërsa vendet e pasura synojnë të vaksinojnë edhe të rinj të shëndetshëm, disa vende të varfra nuk kanë doza për t’ia ofruar as kategorive më të prekshme të shoqërisë. Ai e quajti këtë gjendje “nacionalizëm vaksinash”.

Në të njëjtën konferencë për shtyp, kreu i OBSH-së u bëri thirrje vendeve dhe prodhuesve të vaksinave që të mos nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe që prishin sistemin COVAX, të cilin OBSH e parashikoi si mënyra më e mirë për shpërndarjen e vaksinave në mënyrë të drejtë në të gjithë botën.

Marrëveshjet dypalëshe, tha shefi i OBSH-së, bëjnë presion në treg dhe rrisin çmimet e vaksinave që synohen të shpërndahen përmes COVAX.

Vaksinimi ekskluzivisht nën kujdesin shtetëror

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut i tha BIRN se kur të fillojë vaksinimi, përparësi do t’u jepet punonjësve të kujdesit shëndetësor të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj COVID-19, që punojnë në spitalet COVID ose që rrezikojnë ta marrin virusin përmes kontaktit me persona të dyshimtë ose të infektuar.

Të dytët në listë do të jenë punonjësit shëndetësorë që kryejnë testimet për COVID-19, ata mbi 65 vjeç, pacientët me sëmundje kronike dhe personeli që punon në sektorët kritikë të infrastrukturës dhe transportit.

Vaksina do të jetë falas dhe qytetarët do të vaksinohen mbi baza vullnetare. Takimet do të lihen nëpërmjet mjekëve të familjes. Fëmijët nën 16 vjeç nuk parashikohet të vaksinohen. Ata që e kanë kaluar virusin gjithashtu nuk do të jenë përparësi.

“Vaksinimi do të vijojë me faza, me personat e shëndetshëm që do të jenë në fazën e tretë dhe të fundit të vaksinimit”, shpjegoi ministria.

Sidoqoftë, një temë që po shqyrtohet nga shumë njerëz është se si ta marrin vaksinën më shpejt.

Disa opsione në shqyrtim vajtja në vendet fqinje, kontrabandimi dhe metoda të ngjashme. Në fakt, sigurimi personalisht i vaksinave nuk është diçka e panjohur në Maqedoni, për shkak të besimit të lëkundur në sistemin shëndetësor të vendit.

Megjithatë, ministria këmbëngul se imunizimi do të kryhet vetëm në institucionet shëndetësore shtetërore dhe se qytetarët mund të vaksinohen vetëm me vaksina që i ka siguruar shteti./Reporter.al