Kandidatët e PDK-së, Kristina Gashi-Bytyçi dhe Naim Ismajli. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Naim Ismajli (PDK): 500 milionë euro për funksionalizimin e sistemit të ujit në Lepenc

Projekti më i madh kapital të cilin Partia Demokratike e Kosovës e ka paraparë me programin zgjedhor për Rajonin 05 (Ferizaj), është funksionalizimi i sistemit të ujit në Lepenc.

Me parallogarit e kësaj partie, realizimi i këtij projekti, pritet t’i kushtoj buxhetit të Kosovës rreth 500 milionë euro.

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Naim Ismajli, ka shpjeguar në “Debat Përnime”, më 16.01.2025, se në kuadër të këtij projekti është paraparë edhe ndërtimi i dy ujëmbledhësve.

“Ne e dimë që e kemi Ibrin në funksion, por asnjëherë nuk është jetësuar Lepenci. Ne e kemi projektin me fizibilitet që e ka kry Banka Botërore dhe e kemi në programin e Bedri Hamzës. Projekti kap vlerat mes 450-500 milionë euro … Ky projekt parasheh dy diga të fuqishme në Firaj dhe në Shtime dhe ujëmbledhësit në Redime dhe Grykën e Jezercit dhe e Gaçkes”- thotë Ismajli.

Nga ky projekt, sipas tij, pritet të përfitojnë rreth 500 mijë banorë.

“Ky sistem i ujit i përgjigjët dy kërkesave elementare të qytetarëve të Kosovës: 500 mijë banorëve me furnizim me ujë të pijshëm dhe mbi 20 mijë hektarë do të ujiten. Do nxjerrim tri kanale të hapura: njëri do të shkojë për Obiliq për ftohjen e termoelektranave; njëra vjen në drejtim të Graçanicës- Prishtinës dhe njëra në drejtim të Ferizajt”- ka thënë Ismajli.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Zotimet e PDK-së: 100 çerdhe, siguri në shkolla dhe investime qindra milionëshe në rajonin e Ferizajt