Naim Fetahu premton funksionalizimin e Spitalit të Podujevës

Kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës Naim Fetahu duke folur për çështjet e shëndetësisë tha se do të funksionalizohet Spitali i Podujevës.

“Kjo çështje do rregullohet. Qytetarët analizat i bëjnë në sektorin privat. Duhet të funksionalizohet Spitali në qytet”, tha Fetahu.

Ai premtoi se nën qeverisjen e tij do të ketë barnatore edhe gjatë tërë natës e jo vetëm deri në ora 23:00 sa është aktualisht orari i punës.

Lidhur me këtë çështje, në #DebatPernime reagoi kandidati i LDK-së për kryetar, Nexhmi Rudari, i cili tha se Naim Fetahu nuk di për këto gjërat që po flet.

“Naimi nuk i di këto, ky jeton në një fshat afër  Prishtinës. Nuk e di që funksionon barnatorja, nuk e ka informacionin sa i përket orarit të punës. Orari është aq sa na lejon ministria”, tha Rudari.

Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen më 15 mars.

Përveç Naim Fetahut në garë janë Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua ministër në Qeverinë Kurti.