Naim Fetahu: Do t’i eliminoj deponitë e mbeturinave

Kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës Naim Fetahu ka premtuar se nëse ai zgjidhet kryetar Komune nuk do të ketë mbeturina dhe se do t’i eliminojë të gjitha deponitë e bërllokut.

Fetahu tha se është e vërtetë se komuna e Podujevës është e papastër dhe premtoi ambient të pastër dhe parqe të gjelbra.

Sa i përket ndotjes së liqenit të Batllavës, Naim Fetahu tha se në vitin e parë të mandatit të tij do t’u sigurohet ujë qytetarëve të vendbanimeve përreth liqenit.

Po ashtu, Fetahu premtoi se nuk do të lejojë ndërtime buzë liqenit të Batllavës.

Kandidati i PDK-së e cilësoi të paaftë kundërkandidatin nga LDK, Nexhmi Rudari, për të cilin tha se do të ishte mirë që ai të konkurronte për drejtor të ndonjë shkolle fillore.

Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen më 15 mars.

Përveç Naim Fetahut në garë janë Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua ministër në Qeverinë Kurti.