Nagip Arifi zgjidhet kryetar i komunës së Bujanocit

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka mirëpritur zgjedhjen e Nagip Arifit kryetar të Komunës së Bujanocit, ndërsa përsëri ka përgëzuar partitë shqiptare për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

“Sot është konstituuar Kuvendi dhe është zgjedhur Kryetari i ri i Bujanocit, z. Nagip Arifi! Nëpërmjet bisedave telefonike kam përgëzuar të gjithë krerët e partive politike shqiptare të Bujanocit për këtë arritje historike të koalicionit të shumicës shqiptare”, ka shkruar Cakaj.

Partitë Shqiptare në Luginë të Preshevës kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëqeverisje të komunës së Bujanocit me 17 korrik.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi përmes një publikimi në Facebook ka bërë të ditur se marrëveshja është nënshkruar është e domosdoshme për ruajtjen e shumicës shqiptare në Luginë.

“Sot është arritur Marrëveshja për bashkëqeverisjen e Komunës së Bujanocit. Pas një procesi të gjatë negociatash mes subjekteve politike shqiptare në Komunën e Bujanocit, Partia për Veprim Demokratik duke qenë nën peshën e detyrës historike dhe nevojën institucionale si dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së shumicës shqiptare ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëqeverisjes. Partia për Veprim Demokratik ka udhëhequr të bashkërenduar me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme me një proces të përbashkimit të qasjes politike karshi Beogradit në procesin e zgjedhjeve parlamentare ku triumfuam me tre deputet shqiptarë. Falënderojmë për një rol të jashtëzakonshëm të Ministrit Gent Cakaj në një moment kur po hapen shtigje të reja politike në një ballafaqim që kërkon unitet për të realizuar të drejtat kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Më shumë unitet për barazi e për drejta në një moment kur proceset rajonale dhe dialogu Kosovë-Serbi është në prag”, ka shkruar Kamberi.

Katër subjekte politike shqiptare të komunave: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në Serbi, që njihet si Lugina e Preshevës, janë marrë vesh në janar të këtij viti që të garojnë me një listë të unifikuar zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Arritja e marrëveshjes sipas tyre është pikënisje për të synuar fuqizimin e zërit të votuesve shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Edhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes.

Liderët shqiptarë bëhen bashkë për ta qeverisur Bujanocin