Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci: Vonesat e fillimit të vitit shkollor do të kompensohen

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se ditët e humbura që nuk ka filluar viti i ri shkollor do të kompensohen.

“Sa i përket zhvillimit të mësimit ka qenë rekomandim i IKSHSPK që fillimi të pezullohet deri më 26 të këtij muaji. Janë gjithsej 18 ditë të humbura që nuk është zhvilluar mësimi dhe do të kompensohen. Të hënën është mbledhja e task-forcës  në ministri dhe do të vendoset për formën e  kompensimit”, tha ajo në një konferencë për media.

Ajo shtoi se ka disa shkolla publike dhe private që kanë filluar aktivitetet shkollore, që janë duke kompensuar apo përsëritur mësimet e vitit të kaluar.

“Ka disa shkolla jo vetëm private që kanë filluar aktivitetet me fëmijët që janë më shumë kompensim i humbjeve të shkaktuara gjatë vitit të kaluar shkollor. Zyrtarisht viti i ri shkollor është i pafilluar dhe këto 18 ditë do të kompensohen sipas vendimit me task-forcën”, tha Nagavci.

Sipas ministres, mësimi nga distanca do të filloj të zbatohet në momentin që fillon viti i ri shkollor, sic është paraparë me skenarët e planifikuara.

“Në momentin që do të filloj viti i ri shkollor në udhëzues që i kemi miratuar janë katër skenarë, dhe është edhe mësimi nga distanca që do të zbatohet nëse vlerësohet nga task-forcat në nivel komunal”, tha Nagavci në një konferencë për media.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka vendosur që të shtyjë procesin e fillimit të vitit të ri shkollor deri më 26 shtator, ndërsa ka mbyllur edhe çerdhet.

Viti i ri shkollor ishte planifikuar të fillojë më 1 shtator, por pas rritjeve të rasteve me COVID-19, ishte shtyrë për 13 shtator e më pas me një vendim të ri, është rishtyrë deri më 26 shtator.

“EdGuard”: Qeveria duhet të shtojë kapacitetet, jo të mbyllë shkollat e çerdhet

.