Arbërie Nagavci

Nagavci: Vajza ime u angazhua në Ministrinë e Financave kur ne nuk ishim në qeveri

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas raportimti të disa mediave për punësimin e vajzës së saj në Ministrinë e Financave.

Ajo e ka quajtur këtë lajm tendencioz dhe të pavërtetë. Sipas Nagavcit, vajza e saj është angazhuar në Ministrinë e Financave në fillim të vitit 2020, kur Vetëvendosje nuk ishte në qeverisje.

Madje ajo ka treguar se angazhimi i saj në këtë ministri ka ardhur si obligim i një burse të fituar prej saj.

“Dua të njoftoj opinionit publik se vajza ime Mirjeta Nagavci është angazhuar prej 20 janarit 2020, kur ne nuk ishim në qeverisje, dhe ky angazhim i saj vjen si obligim që ka për shkak të bursës së fituar nga Young Cell Scheme siç edhe mund ta shihni në fotografinë më poshtë”, ka shkruar ministrja në Facebook.

Ministrja Nagavci ka publikuar edhe aktin e emërimit të vajzës së saj, Mirjeta Nagavci, so Zyrtare e lartë për koordinim dhe asistencë të Komitetit për Partneritet Publiko Privat dhe AP-ve.

Tutje, ajo ka thënë se për lajmin e publikuar nëpër media për punësimin e vajzës së saj do të bëjë ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara dhe më pas do të vazhdojë edhe me padi.

“Për këtë shpifje unë do t’i adresohem Këshillit të Mediave të Shkruara për të proceduar pastaj me padi”, ka përfunduar ministrja në reagimin e saj.