Nagavci tregon si do të reagonte nëse opozita hedh gaz në Kuvend

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka folur lidhur me pozitën e saj të re dhe me sfidat që e presin.

Deputetja nga LVV ka thënë se pret që opozita e tanishme që përfshin PDK-në, AAK-në e Nisman Socialdemokrate, të jenë konstruktive dhe përmbajtësore.

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, ajo u pyet se si do të reagonte nëse opozita e tanishme do të përdorte gazin lotsjellës në Kuvend ashtu siç Lëvizja Vetëvendosje e kishte përdorur sa ishte në opozitë.

“Unë pres që edhe opozita të jetë vërtetë përmbajtjesore dhe të na sfidojë në program. E kemi bisedu…Obligimi i imi është që të mundohemi dhe të respektojmë në përpikëri rregulloren. Unë jam e sigurt që qeveria Kurti nuk do merr vendime që janë në dëm të vendit dhe do të kërkonin përdorimin e mjeteve të tilla[gazit]”, tha ajo.

Ajo madje tha se gazi nuk do të ishte problem nëse ndalon marrëveshjet e dëmshme për shtetin.

“Nëse ne do të vijmë në një situatë që me mjete të tilla të pengohen marrëveshjet të cilat janë në dëm të Kosovës atëherë kjo do të ishte thyerje e besimit të qytetarëve dhe hedhja e gazit do të ishte asgjë në raport me thyerjen e premtimeve”, tha Nagavci.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka arritur që të ketë 30 për qind gra në udhëheqje. Ndërsa në total kjo legjislaturë shënon numrin më të madh të grave në udhëheqje.

Shtatë gratë në udhëheqje të legjislaturës së shtatë ishin pjesë e diskutimit në emisionin e sotëm.

Më poshtë mund ta ndiqni emisionin e plotë: