Nagavci takoi përfaqësuesit e SBASHK-ut, kërkohet që mësimi të fillojë të hënën

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është takuar me përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

“Nagavci tha se MAShTI është për dialog dhe që Sindikata duhet të reflektojë në arritjen e një marrëveshje duke mos përdorur masa ekstreme” – thuhet në njoftim.

Ndërsa, është bërë e ditur se përfaqësuesë të Sindikatës kanë thënë se shtesa prej 50 eurove e ndarë nga Qeveria nuk është e mjaftueshme dhe duhet të gjendet një zgjidhje për realizimin e kërkesës së tyre për 100 euro.

Ministrja Nagavci ka thënë se diskutimet do të vazhdojnë edhe ka bërë thirrje që, nga e hëna, të gjithë mësimdhënësit të jenë në shkolla dhe të fillojë procesi i rregullt mësimor.

Fillimi i këtij vit të ri shkollor ka nisur mes grevës dhe thirrjes për mbajtje të mësimit në shkollat e Kosovës.

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht.