Foto: Arbërie Nagavci, Facebook

Nagavci përgëzon shkollat që kanë filluar mësimin

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka përgëzuar shkollat dhe mësimdhënësit që kanë filluar mësimin ndonëse greva në arsim dhe në sektorë të tjerë po vazhdon ende.

Nagavci ka kërkuar nga mësimdhënësit ta mirëkuptojnë situatën.

“Përgëzoj shkollat dhe mësimdhënësit që kanë filluar mësimin dhe kërkoj nga të gjithë mësimdhënësit e Kosovës që të mirëkuptojnë situatën, tashmë kur ata dhe familjet e tyre do të përfitojnë nga Pakoja e ndihmave financiare”-ka thënë ajo.

Ministrja Nagavci ka theksuar se në projektligjin për paga i cili ka dalë në debat publik, janë marrë për bazë të gjitha kërkesat e punëtorëve të arsimit.

“I siguroj mësimdhënësit se do të adresohet vazhdueshëm çdo shqetësim i tyre dhe bashkërisht të evitojmë të gjitha vështirësitë për të arritur kështu që të kemi mirëqenie të mësimdhënësve dhe ngritje të cilësisë në arsim”-ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavci tutje ka thënë se gjatë vizitave të përditshme në shkolla po bashkëbisedojnë me mësimdhënësit, por edhe me prindërit, për shqetësimet e tyre.

“E kemi fokusuar bashkëbisedimin me mësimdhënësit te politikat e reja në mbështetje të tyre, në mënyrë që të tejkalojmë secilën vështirësi së bashku, sikur që është tejkaluar ajo e mësimdhënësve me probleme serioze shëndetësore dhe nuk ka më asnjë mësimdhënës që i duhet të dalë në punë sepse i nevojitet paga për të blerë ilaçe”-ka thënë ajo.

Greva në arsim dhe në sektorë të tjerë ka filluar nga data 25 gusht e po vazhdon ende.

Nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre përkundër që Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të fillojë viti shkollor.

Sindikalistët janë duke kërkuar rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Përkundër grevës, disa institucione arsimore kanë filluar procesin mësimor.

Këshilli i Arsimtarëve në Gjimnazin “Hivzi Sulejmani” në Fushë-Kosovë sot ka vendosur që të hënën më 19 shtator të fillojë procesi mësimor i rregullt, duke ndërprerë kështu grevën.

KALLXO.com ka raportuar se shkollat e mesme “Ali Sokoli” dhe “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë kanë filluar vitin shkollor 2022/23 më 1 shtatori dhe mësimi është duke u zhvilluar në këto dy institucione.

KALLXO.com, ka shkuar edhe për shkolla të tjera të cilat kanë filluar ta mbajnë procesin mësimor.

Me disa përjashtime, shkollat vazhdojnë grevën