Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. FOTO: KALLXO.com
Nagavci për zgjedhjen e Arben Hajrullahut, Rektor në UP: Pres punë të pakompromis për shkencën dhe universitetin
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka shkruar për zgjedhjen e Arben Hajrullahu, rektor i Universitetit të Prishtinës.
Nagavci thotë se procesi ka qenë transparent dhe i mbështetur në meritokraci.
Ajo shkruan se është krijuar një praktikë që do e transformojë mënyrën e zgjedhjes së Rektorit si dhe avansimin e performancës në UP.
“Mbështetja jonë për UP-në do të vazhdojë ngase ky institucion e meriton të shndërrohet në mjedis akademik ku mbizotëron cilësia intelektuale” – shkruan Nagavci.
Ministrja falënderoi rektorin e deritashëm, Qerim Qerimi dhe ekipin e tij për punën dhe angazhimin.
Tutje falënderoi edhe Këshillin Drejtues të UP-së për punën në procesin e zgjedhjes së rektorit të ri.
“Pres që rektori Hajrullahu të punojë pa kompromis për shkencën e universitetin” – shkruan tutje ajo, derisa i dëshiroi punë të mbarë dhe suksese.
Arben Hajrullahu u zgjodh Rektor i UP-së me gjashtë vota për.