Arbërie Nagavci
Nagavci: Për vitin 2025 MASHTI ka paraparë 29 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës së arsimit
Buxheti për arsimin për vitin 2025 do të jetë 417 milionë e 681 mijë e 21 euro.
Kështu ka njoftuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një shkrimi në profilin e saj në Facebook sot më 11.11.2024.
Siç shkruan Nagavci, nga kjo shumë për arsim në komuna do të ndahen 283 milionë e 566 mijë e 630 euro, për arsim për MASHTI do të ndahen 99 milionë e 963 mijë e 750 euro dhe për Universitetin e Prishtinës 34 milionë e 150 mijë e 641 euro.
Sipas Nagavcit, vitin e ardhshëm, buxheti për arsim do të jetë 92 milionë e 551 mijë e 788 euro apo 28,47 % më i lartë se në vitin 2021 kur e kanë pranuar mandatin.
Tutje, Nagavci ka shtuar se rritje të buxhetit vitin e ardhshëm do të ketë edhe në dikastere të tjera në fushën e arsimit.
Sipas ministres, për vitin 2025 MASHTI ka paraparë ndër të tjera mbi 29 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës së arsimit, me shtrirje në 31 komuna të Republikës së Kosovës.
Nga këto mjete prej 29 milionë euro, Nagavci thotë se MASHTI ka paraparë investim prej 10.2 milionë euro për ndërtimin e 47 çerdheve, investim prej 0.7 milion euro për adaptim të 7 shkollave në çerdhe, investim prej 2.8 milionë euro për ndërtim të 18 çerdheve modulare, investim prej 2.37 milionë euro për renovimin e 12 shkollave, investim prej 2.33 milionë euro për ndërtim të 12 sallave të sportit, investim prej 11.4 milionë euro në ndërtim të 32 shkollave, 4.0 milionë euro për pajisjen e shkollave me teknologji të informacionit dhe komunikimit, 1.7 milion euro investim në funksionalizim dhe pajisje të laboratorëve, 0.5 milion euro investim në pajisje sportive për shkolla, 3.4 milionë euro nga granti specifik sipas kësaj strukture, 2.6 milionë euro për punësimin e 300 asistentëve të rinj për fëmijët me nevoja të veçanta, 0.5 milion euro për punësim të 59 këshilltarëve të karrierës, 0.3 milion euro për punësim të 30 specialistëve të IT për nevojat e shkollave.
Ky Projektligj u miratua me 59 vota për, ndërsa dy deputetë abstenuan.
Në votimin e buxhetit morën pjesë vetëm deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK ishin të pranishëm gjatë diskutimeve por nuk votuan për buxhetin.
Qeveria më 30.10.2024 ka miratuar Projektligjin për buxhetin për vitin 2025 në vlerë 3.6 miliardë euro.