Nagavci paralajmëron vlerësim të mësimdhënësve, krahas rritjes së pagave

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar vlerësim të performancës së mësimdhënësve, krahas rritjes së pagave në arsim.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke shkruar për fillimin e vitit të ri shkollor, Nagavci ka thënë se paralajmërimet e SBASHK-ut për greva, nuk kanë arsyetim.

“Ristrukturimi i procesit të vlerësimit të performancës, licencimit dhe zhvillimit profesional të mësimdhënësve do t’i japin kuptim edhe rrjitjes në paga”- ka shkruar fillimisht ajo.

“Paralajmërimet e SBASHK për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim! Ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdoj më. SBASHK gëzon të drejtë të garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenoj të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron” – thuhet në postimin e Nagavcit.

Ajo ka thënë se çdo orë dhe ditë mësimore, është përgjegjësi ndaj nxënësve për një shkollim më të mirë.

Tutje, Nagavci ka thënë se së bashku me komunat, janë bërë përgaditjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Angazhimi ynë është shumë dimensional, në përmirësimin e infrastrukturës në shkolla, avancimin e infrastrukturës ligjore, që të kemi staf të kualifikuar, tekste cilësore, kabinete e laboratore, në mënyrë që t’i përmirësojmë rezultatet në arsim” – thuhet ndër të tjera në shkrimin e ministres Arbërie Nagavci.

“Pagë dhe kushte të dinjitetshme për mësimdhënësit tanë. Ky premtim do të jetësohet me Ligjin e ri për paga. Mësimdhënësit tanë të të gjitha niveleve pa përjashtim, janë trajtuar me kujdes të veçantë. Jo neglizhim i mësimdhënësve dhe edukatoreve të nivelit parashkollor, por paga dhe kushte te punës së favorshme” – ka shkruar ajo.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka paralajmëruar se nga data 1 shtator do të ketë greva në arsim.

Ata po kërkojnë sa më shpejtë të miratohet ligji për paga, të futet në zbatim ligji i sigurimeve shëndetësore dhe të bëhet plotësim/ndryshimi i ligjit të skemave pernsionale të financuara nga shteti.

SBASHK-u: Nga fundi i gushtit priten grevat në arsim