Nagavci paralajmëron ndryshim të Kodit Penal për dënimet e ngacmimeve seksuale ndaj fëmijëve

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se së shpejti do të incizoje kërkesë për plotësim dhe ndryshim të Kodit Penal, që sipas saj, do të shërbejë në ashpërsimi të dënimeve ndaj kryerësve të veprave penale ndaj fëmijëve.

Nagavci e ka bërë të ditur këtë përmes një postimi në Facebook, duke shkruar se kjo ide ka ardhur si pjesë e punëtorisë së organizuar nga MAShTI për rolin e Drejtorive komunale të Arsimit, për sigurimin e cilësisë, mbrojtjen e fëmijëve dhe eliminimin e pengesave të qasjes në arsim.

“Synimi im është bashkëpunimi efikas me të gjitha palët, nivelin lokal, atë qendror, prindërit dhe organizatat e shoqërisë civile, në mënyrë që të punojmë bashkërisht për një edukim të mirëfilltë për vajzat dhe djemtë, rritjen e vetëdijesimit për raportimin e çfarëdo rasti të dhunës, menaxhimin e suksesshëm të rasteve eventuale të dhunës ndaj fëmijëve dhe sidomos parandalimin”, ka bërë të ditur ajo.

Sipas saj, analizat kanë treguar se ka shkallë të lartë të ngacmimeve seksuale ndaj fëmijëve.

“Në analizat fillestare mbi nivelin e ngacmimeve në bazë të raporteve dhe të dhënave të MASHTI dhe shoqërisë civile, gjejmë shkallë të lartë të ngacmimit seksual të fëmijëve dhe politikën ndëshkimore më të butë në rajon”, ka shtuar ajo.

Postimi i plotë i saj:

Siguria e fëmijëve është shumë e rëndësishme për të gjithë ne.
Sot isha pjesë e punëtorisë së organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit për rolin e drejtorive komunale të arsimit, për sigurimin e cilësisë, mbrojtjen e fëmijëve dhe eliminimin e pengesave të qasjes në arsim.
Synimi im është bashkëpunimi efikas me të gjitha palët, niveli lokal, ai qendror, prindërit, organizatat e shoqërisë civile në mënyrë që të punojmë bashkarisht për një edukim të mirfilltë për vajzat dhe djemtë, rritjen e vetëdijesimit për raportimin e çfardo rasti të dhunës, menagjimin e suksesshëm të rasteve eventuale të dhunës ndaj fëmijëve dhe sidomos parandalimin.
Shumë shpejtë do të procedojmë edhe kërkesën për plotësim dhe ndryshim të Kodit Penal të Republikës së Kosovës në funksion të ashpërsimit të dënimeve ndaj kryerësve të veprave penale ndaj fëmijëve.
Në analizat fillestare mbi nivelin e ngacmimeve në bazë të raporteve dhe të dhënave të MASHTI dhe shoqërisë civile, gjejmë shkallë të lartë të ngacmimit seksual të fëmijëve dhe politikën ndëshkimore më të butë në rajon.
Trajtimi i rasteve të tilla aktualisht bëhet nëpërmjet “Ligjit për mbrojtje të fëmijëve Nr. 14 / 17”, i cili precizon mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet plotësimit të kuadrit ligjor e institucional, në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës, të akteve ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë, si dhe të legjislacionit në fuqi.
Këto raste trajtohen edhe nëpërmjet:
Protokollit për parandalim dhe referim të dhunës në IAP 21/2013
Udhëzimit Administrativ 05/2013 për Parandalimin dhe Ndalimin e Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve në Kosovë,
Udhëzimi administrativ nr. 13/2005 për masat ndaj prindërve, fëmijët e të cilëve nuk janë regjistruar apo nuk vijojnë arsimin obligues,
Udhëzimi administrativ 08/2018 për krijimin dhe fuqizimin e EPRBM në arsimin parauniversitar,
U.A 01/2019 pёr mbrojtjen e fëmijëve nё internet,
U.A- Edukimi pёr mbrojtjen e fëmijëve, që është nё proces si dhe
U.A tjera qё dalin nga Ligji pёr mbrojtjen e fëmijëve që po ashtu janë në proces.
MAShTI e ka tё zhvilluar modulin e incidenteve në shkolla, modul ky i integruar në sistemin e menaxhimit të informatave në arsim (SMIA), duke synuar konsolidimin e sistemit të raportimit dhe të referimit të rasteve në mënyrë permanente dhe efikase.
Punëtoria e nisur sot, do të vazhdojë deri me datën 26 maj dhe disa nga rezultatet që MASHT-i, pret t’i arrijë janë:
-Mekanizma koordinues funksional në nivel qendror, komunal e në nivel shkolle.
-Sistem funksional i paralajmërimit të hershëm të braktisjes.
-Parandalim të dhunës dhe dukurive negative.
-Vetëdije e ngritur e institucioneve shkollore e komunale për adresimin sistemor të problemeve që e sfidojnë zhvillimin e fëmijëve, si dhe
-Rritje e cilësisë së të dhënave për fëmijët që braktisin shkollimin dhe ata që janë në rrezik për braktisje.