Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci: Nuk do ta blejmë dinjitetin e mësimdhënësve me pagën e 13-të

Kandidatja për deputete nga radhët e Vetëvendosjes Arbërie Nagavci ka thënë se nuk do të iu japin mësimdhënësve rrogë të 13-të ashtu siç e ka premtuar Avdullah Hoti.

“Do të bëjmë biblioteka në secilën prej shkollave, do të paguhen me paga meritore por nuk do të mundohemi ta blejmë dinjitetin e mësimdhënësit” tha Nagavci në DebatPernime me Jeta Xharrën.

Sipas saj, premtimi i Qeverisë Hoti, për pagën e 13-të për mësimdhënësit, është i pamenduar dhe pa rezultate.

Albin Kurti së bashku me ekipin e tij, Glauk Konjufca, Arben Vitia, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli, Jeta Statovci, Mimoza Kusari, Rozeta Hajdari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista ‘Vjosa’, mbrëmë ishin të ftuar në #DebatPernime.

Cila është oferta e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës së Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Cilat janë planet e Albin Kurtit dhe ekipit që ai i udhëheq për luftimin e korrupsionit?

A do të jetë kryeministër ai pas zgjedhjeve të 14 shkurtit?

Siç dihet, Kurti nuk është certifikuar në listën e Vetëvendosjes nga ana e KQZ-së, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ai mbeti përfundimisht jashtë listës së votuesve.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dorëzuar KQZ-së, listë të re edhe pas vendimit të Supremes, duke e lënë kështu listën e njëjtë.

Cikli i #DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.