Nagavci lidh rrëzimin e Teatrit Kombëtar në Tiranë me rrëzimin e Qeverisë Kurti në Kosovë

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar në lidhje me shembjen e objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Nagavci ka bërë një lidhje në mes rrëzimit të Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe rrëzimit të Qeverisë Kurti në Kosovë, në kohë pandemie.

“Në Tiranë rrëzuan godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar, në Kosovë rrëzuan Qeverinë e re të Albin Kurtit, të dyja në kohë pandemie globale, të dyja kundër vullnetit të qytetarëve”, thuhet në postimin e Nagavcit.

Më tej ajo ka thënë se për të mirën e shqiptarëve do të duhej të binte e vjetra në mendësi, në sjellje e qëllime të këqija.

“Tek ne po ndodh e kundërta, po rrëzohet e reja progresive e po shembet kujtesa historike”, ka thënë Nagavci.

Nënkryetarja e Kuvendit ka theksuar se në fund pushtetet e vjetra do të shemben.

“Në skenën e teatrit vazhdimisht luhen drama, por vjen koha dhe perdet bien. Shfaqja përfundon dhe spektatorët duartrokasin e shfaqin mirënjohjen ose fishkëllejnë, shajnë e mallkojnë. Por në fund pushtetet e vjetra do të shemben se s’bën”, ka përfunduar Nagavci.

Sot, në orët e para të mëngjesit ka filluar rrënimi i objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Plani për rrëzimin e tij ka shkaktuar polemika për vite me radhë në Shqipëri. Rrënimi i tij është kundërshtuar sidomos nga artistët.