Nagavci: Komisioni për verifikim të diplomave ka rekomanduar zgjidhje për 4500 studentë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në konferencën e fundvitit, bëri të ditur se komisioni që e kishte formuar për verifikimin e diplomave të fituara në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, ka rekomanduar zgjidhje të 4500 studentëve të universiteteve publike.

”Komisioni ka arritur shqyrtojë dhe te dalë me rekomandime për zgjidhjen e problemeve për më shumë se 4500 studentë të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në Kosovës. Studentët të cilët i kanë përfunduar studimet në Universitetet Publike të Kosovës konform legjislacionit në fuqi, por që për arsyeje teknike nuk janë të përfshirë në sistemin SMIAL”, tha ajo.

Ajo shtoi se në kuadër të kësaj janë edhe studentët e universiteteve rajonale në të cilat janë bartur programet e akredituara në UP, ku diplomat janë lëshuar me emrin e Universiteteve aktuale, gjë që bie ndesh me periudhën e akreditimit të programeve.

“Ky problem ishte prezent që nga vitet 2012/2013 pa zgjidhje”, tha Nagavci më tej.

Ajo shtoi se Komisioni po punon edhe për zgjidhjen e problemeve për një numër të konsiderueshëm të studentëve të institucioneve private të arsimit të lartë, që për arsye teknike s’kanë qenë në sistemin SMIAL.

“Me këtë rast ka pasur edhe gjetje, dyshime për mos repsektime të legjislaiconit në fuqi dhe ne i kemi dërguar tek organet e hetuesisë në lidhje me librat amë”, tha Nagavci.

Në këtë konferencë ajo përmendi edhe vendimin e Qeverisë për arsimin e lartë falas, duke shtuar se studentët do të lirohen edhe nga pagesat administrative, siç janë provimi pranues dhe provimet diferenciale.

“Këtë vit është themeluar Këshilli Kombëtar i Shkencës ndërkaq Programi Kombëtar i Shkencës do të hartohet në vitin 2022. Në vitin 2021 MASHTI ka ndarë 30,000 € (për 10 projekte shkencore). Fondi për shkencë parashihet të formohet vitin e ardhshëm”, shtoi Nagavci më tej.

Njohja e diplomave në vend bëhet përmes Qendra Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik (NARIC) që përbëhet nga Zyra e Qendrës dhe Këshilli Shtetëror për Njohje.

Këshilli Shtetëror për Njohje është organ i cili merr vendime për njohje/ barasvlerë apo mosnjohje/mosbarasvlerë, duke u bazuar në dosjen e parashtruesit të kërkesës dhe raportin e përgatitur nga zyrtari i Qendrës dhe në raste të veçanta, bazuar në rekomandimin e komisionit të ekspertëve. Përbëhet nga profesorë universitar të fushave të ndryshme studimore.

Muaj më parë, Kumrije Gagica nga Qendra NARIC, kishte deklaruar se mbi 20 mijë është numri i diplomave të pavlefshme, të lëshuara nga kolegjet private në Kosovë.