Nagavci: Kërkesa për dorëheqjen e Glauk Konjufës, kusht i pakapërcyeshëm

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se kërkesa për dorëheqjen e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, është jodemokratike dhe e papranueshme.

“Me votat e 75 deputetëve ne kemi zgjedhur zt. Glauk Konjufca të na përfaqësojë në këtë detyrë dhe ai tashmë ka marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë. Jam e bindur që gjithë dijet, kapacitetet dhe njohuritë e tij, zt. Konjufca do t’i vë në shërbim të kryerjes me përkushtim të detyrave dhe në të mirën e vendit. Angazhimi jonë i përbashkët duhet të jetë që Kuvendit t’i kthehet besueshmëria, serioziteti e profesionalizmi dhe zt. Konjufca tashmë ka marrë mandatin që të jetë në krye të këtij misioni”, ka shkruar ajo.

Sipas saj kërkesa për dorëheqjen e Konjufcës cenon vullnetin e deputetëve dhe godet që në fillim betejën për mënyrën e ndryshimit të qeverisjes, për çfarë morën mandatin nga qytetarët e vendit.

“Andaj është e padrejtë, pra dhe e papranueshme kërkesa për dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit . Nuk ka asnjë arsye serioze dhe parimore se pse duhet të shqyrtohet një kërkesë e tillë. Zt. Konjufca është zgjedhur në atë pozitë, ai ka mandat. Është përgjegjësi e tij e jo privilegj”, ka shkruar tutje ajo.

Sipas saj, beteja për t’i kthyer dinjitetin Kuvendit është vetëm një nga punët e mëdha që duhet ta kryejnë.

Nagavci thotë se me LDK-në duhet të shtojnë e forcojnë bashkëpunimin, për ti kryer punët e rëndësishme që i presin dhe jo të vendosin kushte të pakalueshme.

“Nuk është rruga e duhur që të bëjmë presion tani duke vendosur kushte të pakapërcyeshme, duke vënë interesat partiake mbi interesat e vendit. Glauk Konjufca është njeriu i duhur në vendin e duhur, është obligim I joni që sa më parë të plotësojmë pozitat tjera të lira qeverisëse me njerëz kompetent, të ndershëm e me integritet dhe fillojmë punën për zbatimin e programit qeverisës”, ka shkruar tutje ajo.

Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit më 26 dhjetor të 2019, mirëpo në kërkesat e fundit të LDK-së për arritjen e koalicionit, ata kanë vendosur si kusht që pozita e kryeparlamentarit ti jepet LDK-së deri në zgjedhjen e presidentit.

Kriza e ideve: Letërkëmbimet ‘mjegullojnë’ marrëveshjen LVV-LDK