Nagavci: Kemi përmbushur mbi 90 për qind të kërkesave por SBASHK-u thonë 'lëvizni edhe pak'

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për grevën në arsim, tha se Qeveria ka përmbushur mbi 90 për qind të kërkesave të SBASHK-ut.

Sipas saj Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e kanë një kërkesë të vetme.

Ajo tha se SBASHK-u po u thonë “lëvizni edhe pak”, duke nënkuptuar që të rrisin më shumë se 50 euro pagat.

“Kemi përmbushur mbi 90 për qind të kërkesave të SBASHK-ut, por SBASHK-u e kanë çdo herë vetëm një kërkesë, thonë ‘lëvizni edhe pak’. Pra, kjo nënkupton që ato 50 eurot që i kemi ndarë thonë rritni edhe pak, 10 euro, 15 apo 20”- ka thënë ajo.

Sipas Nagavcit, kjo kërkesë nuk i bën nder as dinjitetit mësimdhënësve, qeverisë as sindikatës.

“Nga ana jonë ka qenë një kërkesë e vetme; mos i mbani peng fëmijët. Pra, vazhdojmë dialogun social por mos i mbyllni shkollat”- ka shtuar ajo.

Nagavci ka thënë se me Projektligjin për paga i cili tashmë është në konsultim publik, mësimdhënësit janë trajtuar më mirë se asnjëherë më parë.

Kuvendi i Kosovës që më shumë se tri orë është duke zhvilluar debat paralamentar lidhur më grevën në Kosovë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nga 25 gushti kanë filluar grevën e përgjithshme.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës është pjesë e kësaj greve.