Nagavci: Ka rritje të interesimit të punëtorëve arsimor dhe studentëve për t'u vaksinuar

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se numri i stafit arsimor të vaksinuar përfshirë ata në arsimin parauniversitar, në arsimin e lartë si dhe studentët, është 55.094.

Sipas Nagavcit, bazuar në këto të dhëna shihet se ditëve të fundit ka pasur një rritje të interesimit për t’u vaksinuar.

Ajo ka bërë thirrje sërish që punëtorët e arsimit të vaksinohen në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe atij akademik.

“Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë e IKSHP-së, numri i stafit arsimor të vaksinuar përfshirë ata në arsimin parauniversitar, në arsimin e lartë si dhe studentët, është 55.094 derisa dy javë më parë kjo shifër ka qenë 29.878. Meqë jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe atij akademik, ftoj edhe njëherë të gjithë punëtorët e arsimit që të vaksinohen”, ka shkruar ministrja në rrjetin social “Facebook”.

Nagavci ka thënë se janë gati për fillimin e vitit të ri shkollor dhe akademik. Ajo tha se po synojnë që ky proces të nis me prezencë fizike.

“Meqë jemi në situatë pandemie, paraprakisht duhet t’i plotësojmë kushtet për një fillim sa më të mbarë. Prandaj vaksinohuni”, shtoi ajo.

Nga 29 marsi, kur kanë filluar vaksinimi në Kosovë e deri më sot janë dhënë 644 mijë e 212 doza të vaksinës, ndërsa 221 mijë e 26 qytetarë tashmë janë të vaksinuar me dy doza të vaksinës.

Aktualisht, Kosova është vendi i parë në rajon me numrin më të madh të infektuarëve në baza ditore, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 2 mijë e 236 raste të reja.