Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci inkurajon kandidatët që të aplikojnë për anëtarë të KShC-së

Kjo javë është java e fundit për të aplikuar në konkursin për anëtarë të bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, organ ky vendimmarrës për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci në një intervistë në “Kallxo Pernime” ka ftuar kandidatët që të aplikojnë.

“Kemi bërë shpalljen për katër anëtarë të KShC dhe përveç katër kushteve të përgjithshme nevojitet që të jetë doktor shkence dhe ftoj të gjithë kandidatët që i përmbushin kriteret që të aplikojnë për të përcaktuar komisionin që e analizon të gjitha aplikacionet”, tha ajo.

Ajo tregoi edhe përbërjen e komisionit që do t’i shqyrtojë aplikacionet e kandidatëve.

“Anëtarë të komisionit do të jenë një nga Akademia e Shkencave, një nga konferenca e rektorëve, një nga shoqëria civile dhe një nga projekti HERAS që do të shqyrtojnë dosjet e tyre”, tha Nagavci.

Nagavci shtoi se për të plotësuar vendet e anëtarëve ndërkombëtarë kanë kërkuar përkrahje nga partnerët ndërkombëtarë.

“Konkursi është i hapur për anëtarë vendorë për 4 persona dhe për anëtarët ndërkombëtarë ne kemi dërguar letër tek partnerët ndërkombëtarë dhe kemi kërkuar përkrahje prej tyre që të sigurohemi që të jenë persona me kredibilitet”, shtoi ajo në fund.

Bordi i KShC-së aktualisht është jofunksional pasi dhanë dorëheqje 5 anëtarë të tij. Në bord kanë mbetur vetëm dy anëtarë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hapur konkursin për anëtarë të rinj të bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), më 2 prill.

MASh-i hap konkurs për anëtarë të KShC