Nagavci: Greva e paralajmëruar shkel të drejtën e fëmijëve për arsim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se greva e paralajmëruar nga Sindikata për Arsim do t’i dëmtojë nxënësit si dhe është cenim i së drejtës themelore e fëmijëve për arsim.

Sipas saj, ky veprim sindikal është i papranueshëm.

“Kemi ndjekur deklarimet e ditëve të fundit që Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar grevën më 25 gusht, duke e pranuar se e njohim organizimin sindikal, kërkesat për kushte më të mira të punës, vetë këto që i përmenda janë disa nga veprimet që i kemi ndërmarrë që të lehtësohet puna e mësimdhënësve. Mos-mbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit dhe shkel të drejtën e tyre për arsim. Humbja e mësimit është cenim i së drejtës themelore e fëmijëve për arsim dhe për ne është e papranueshme sepse në vazhdimësi po punojmë që të ofrojmë mbështetje për mësimdhënësit dhe përmirësimin e rezultateve në arsim”, është shprehur Nagavci në një konferencë për media.

Sipas Nagavcit, MASHTI ka ndërmarrë një sërë veprimesh deri tash që ka plotësuar kërkesa të mësimdhënësve dhe se po punon në vazhdimësi për këtë.