Nagavci: Gjatë vitit 2021 është vlerësuar përformanca e 331 drejtorëve dhe zv/drejtorëve

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka folur për punën e bërë në sektorin e arsimit gjatë vitit 2021.

Ministrja Nagavci potencoi se gjatë këtij viti është vlerësuar përformanca e 331 drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve.

“Gjatë vitit 2021 Inspektorati i Arsimit ka vlerësuar performancën e 331 drejtorëve dhe zv /drejtorëve të institucioneve arsimore para-universitare”, ka thënë Nagavci.

Ministrja bëri të ditur se për herë të parë këtë vit shkollor janë përkthyer tekstet shkollore nga gjuha shqipe në gjuhën boshnjake dhe turke.

“Për herë të parë sivjet është vendosur një standard i ri duke respektuar Ligjin për tekste shkollore, i cili parasheh tekstet alternative. Mësimdhënësit në koordinim me Aktivet profesionale, kanë pasur mundësi të zgjedhin tekstet mësimore më të përshtatshme për nxënësit e tyre”, ka thënë ajo.

Tutje Ministrja Nagavci ka theksuar se MAShTI gjatë këtij viti ka organizuar trajnimin për zbatimin e kurrikulës për gjithsej 1500 mësimdhënës dhe se tre mijë mësimdhënës dhe edukatorë janë trajnuar në programe të ndryshme të trajnimit.