Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci fajëson DKA-të për mungesën e teksteve shkollore

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është deklaruar pas ankesave që ka pranuar në lidhje me mungesën e disa teksteve shkollore.

Nagavci thotë se pas ankesave nga prindërit, kanë dërguar disa komisione që të bëjnë vizita në shkolla për t’u siguruar nëse procesi i shpërndarjes së teksteve nga Drejtoritë komunale të Arsimit (DKA) është realizuar në bazë të kërkesave të parapara.

Mirëpo, pas këtyre vizitave, sipas saj, DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave.

“Andaj, ju informoj se më 15 qershor, Ministria e Arsimit ka njoftuar të gjitha Drejtoritë komunale të Arsimit se këtë vit do të shpërndajë tekstet për nivelin I-5 dhe për nxënësit e klasës së 8, tekstet alternative për nxënësit e klasave 6 dhe 7 si dhe tekstet shkollore për lëndën e gjuhës gjermane dhe frënge. Njëkohësisht, MASHTI i ka njoftuar DKA-të se sipas udhëzimit Administrativ nr.13/2016,  tekstet e klasës 6, 7 dhe 9 do të përdoren të vitit paraprak andaj shkollat është dashur të sigurohen që nxënësit e këtyre klasave t’i kthejnë tekstet në fund të vitit shkollor”, ka thënë Nagavci përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

Ajo mes tjerash ka shkruar se shpërndarja e teksteve është bërë në respektim të plotë të kërkesave që kanë ardhur nga Drejtoritë Komunale të Arsimit.

“Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik)”, ka thënë tutje ministrja Nagavci.

Ministrja ka inkurajuar shkollat dhe DKA-të që ta marrin me prioritet trajtimin e çështjes së teksteve mësimore dhe të sigurohen që të gjithë nxënësit t`i kenë tekstet e të vazhdojnë procesin mësimor.

“Nëse ka pasur ndonjë mos përmbushje të obligimeve nga ana e MASHTI, ne jemi të gatshëm ti plotësojmë menjëherë edhe pse deri tash nuk e kemi asnjë informatë të tillë”, ka përfunduar ministrja Nagavci.

Viti i ri shkollor ka filluar më 27 shtator 2021.