Ilustrim

Nagavci: Është pezulluar vendimi që ndalonte përdorimin e thëngjillit nëpër shkolla

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se është pezulluar vendimi që ndalonte përdorimin e thëngjillit nëpër shkolla. Pra, tash shkollat e Kosovës mund të blejnë thëngjill për ngrohje gjatë sezonit të dimrit.

Duke raportuar në Komisionin për Arsim, ministrja Nagavci ka thënë se vendimi është pezulluar për shkak të situatës me energjinë elektrike.

“Nuk ka pas Udhëzim Administrativ, ka qenë një vendim që e ka ndalu përdorimin e thëngjillit.  Për sivjet e kemi pezullu atë vendim për shkak të situatës. Nuk e di nëse po përdoret në ndonjë shkollë. Kjo mbetet pastaj edhe në mënyrën si do veprojnë komunat” – ka thënë Nagavci para Komisionit.

E pezullimin e vendimit, e ka kundërshtuar nënkryetarja e Komisionit, Albena Reshitaj nga AAK, duke thënë se kjo çështje duhej të ishte në kuadër të ligjit, e jo thjesht një vendim, që sipas saj, jep mundësinë për pezullim.

Reshitaj ka qenë në krye të Ministrisë së Ambientit kur pati marrë vendim për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje nëpër shkalla, si një ndër hapat për parandalimin e ndotjes së ambientit.

“Unë pata krijuar Task Forcën ndërministrore kur i pata kërkuar ministrive të linjes që të marrin vendime të tilla. Hajt punetorëve të KEK-ut që e paskan shfuqizu vendimin për mos dhënien falas të thëngjillit, ama këtë me shkolla.  Menzi i pata bind atë kohë ministrat me i marr këto vendime. Në vend se kjo tashmë me qenë pjesë e ligjit, kjo ende në nivel vendimi ku munden kur dojnë me pezullu. Është dashur me gjet alternativë tjetër, ani pse ma e shtrenjtë” – ka thënë Reshitaj për KALLXO.com.

Para rreth një muaji gjithashtu është lejuar prapë që punëtorët e KEK-ut të marrin thëngjill falas nga kjo ndërmarrje. Ky vendim është marrë gati 4 vjet pas vendimit për të ndaluar dhënien e thëngjillit në formë dhurate për punëtorët, i marrë atëkohë nga Valdrin Lluka si masë për parandalimin e ndotjes së ajrit.

KEK planifikon të shesë për qytetarët gjithsej rreth 150 mijë tonë qymyr nga miniera e Sibovcit në Obiliq.

Por qeveria ka vendosur që KEK të dhuroj dhjetëra mijëra ton qymyr për 3,600 punëtorët e saj për të ngrohur shtëpitë e tyre – tetë deri në 10 ton për person – ndërsa vendi po përgatitet për më shumë ndërprerje të energjisë gjatë dimrit.

Vendimi për lejimin e shitjes së thëngjillit nga KEK, i marrë nga qeveria nga pushtet, është pjesë e masave të marra për zbutjen e krizës energjetike dhe i referohet rekomandimit të Komisionit Teknik Emergjent.

Shitja e thëngjillit pritet të zgjasë prej 20 tetorit deri më 20 dhjetor, ndërsa pas kësaj, kushtet atmosferike me shumë gjasa nuk do ta lejojnë KEK-un ta vazhdojë këtë, thotë Bucolli.

Ndotja e ajrit, përfshirë qymyrin që është një ndër ndotësit më të mëdhenj, shkakton sëmundje në sistemin e frymëmarrjes, kardiovaskular, nervor dhe riprodhues.

Pulmologu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpëtim Thaçi në një intervistë për BIRN shpjegoi pasojat e përdorimit të qymyrit për ngrohje.

“Si pasojë e ndotjes nga qymyri mundësia e zhvillimit të sëmundjeve si bronhiti kronik. Njëkohësisht mendohet që grimcat e lëshuara si pasojë e djegies së qymyrit ndikon edhe në zhvillimin të kanceromave të mushkërive duke ndikuar kështu në rrezikun e jetës së këtyre pacientëve”- tha Thaçi.

Për të trajtuar sëmundjet e shkaktuara nga ndotja, xhepit të shtetit dhe të qytetarëve i kushton më shumë se sa fatura e rrymës. Terapia për të trajtuar pasojat e ndotjes së ajrit në sistemin respirator është e shtrenjtë për t’u përballuar.

Kostot totale ekonomike të vlerësuara të ajrit të ndotur për shëndetin e njerëzve në Kosovë variojnë nga 37 deri në 158 milionë euro në vit, ose 0,89 deri në 3,76 për qind të GDP-së, sipas dokumentit të veprimit “BE për Mjedisin”.

“Trajtimi i këtyre sëmundjeve në një periudhë një vjeçare është rreth 500 euro për një pacient. Për një person që vuan nga sëmundjet kronike e detyrohet të përdor terapi kronike e që është terapi bukur e shtrenjtë e që njihet si tripoterapi, pra, që janë tri grupe të barnave”- tha Thaçi.

Sipas tij, këto barna të grupuara në tri grupe janë jashtëzakonisht të shtrenjta, pa përfshirë koston kur më së pakti pacientët duhet të hospitalizohen më shumë se një herë, për një ose dy javë.

Edhe pse në QKUK nuk ekziston një databazë për numrin e vdekjeve si pasojë e ajrit të ndotur, pulomologu Thaçi thotë që gjatë sezonës vjeshtë – dimër është një fluks i madh i personave që trajtohen e hospitalizohen në Klinikën Pulmologjike.

“Nevojat dhe kapacitetet e një Klinike të tillë duhet të rriten, marrë parasysh që kemi një shkallë të lartë të ndotjes, rrjedhimisht mundësinë e zhvillimit të sëmundjeve të ndryshme pulmologjike. Kapacitetet tona shpesh herë janë të mbushura si pasojë nevojës së madhe të cilat kërkojnë trajtim për një periudhë të caktuar kohore”- shpjegoi Thaçi.

Klinika e Pulmologjisë ka vetëm 66 shtretër, kapacitete që sipas Thaçit nuk arrijnë as të përmbushin kërkesat e zakonshme për hospitalizimin e pacientëve.

Sipas dokumentit të BE-së për Mjedisin për vitin 2021, rreth 760 njerëz vdesin para kohe çdo vit në Kosovë nga ndotja e ajrit.

Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se efektet e kombinuara të ndotjes së ajrit të ambientit dhe ndotjes së ajrit të brendshëm shkaktojnë rreth 7 milionë vdekje të parakohshme në vit.

Ndotja e ajrit në amvisëri ishte përgjegjëse për rreth 3.2 milionë vdekje në vit globalisht në vitin 2020, duke përfshirë mbi 237,000 vdekje të fëmijëve nën moshën pesë vjeç.

Në anën tjetër, sipas Raportit të Progresit për Kosovën 2022 të Komisionit Evropian, thëngjilli përveç se është burim kryesor i gazrave serë, gjithashtu shkakton probleme serioze shëndetësore dhe mjedisore.

“Qeveria e Kosovës ka draftuar një strategji ambicioze energjetike, që përfshinë edhe më shumë pjesëmarrje të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, sidoqoftë, për shkak të krizës energjetike, miratimi i kësaj strategjie është tejzgjatur”- shkruan në raport.

KEK-u nxjerr mesatarisht 8 deri në 9 milionë tonë qymyr në vit për termocentralet, ndërsa shet 200 deri në 400,000 tonë në vit. Të dhënat zyrtare tregojnë se Kosova ka rezervat e pesta më të mëdha të linjitit në botë me 12 deri në 14 miliardë tonë.

Kosova renditet në vendin e 69-të nga 118 shtete për sa i përket ndotjes së ajrit, sipas Indeksit të Cilësisë së Ajrit.