Nagavci: Edhe sivjet tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen sipas praktikës së vitit të kaluar

Pasi ka përfunduar mbledhjen me drejtorët komunalë të Arsimit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka folur për përgatitjet e fillimit të vitit shkollor 2024/2025.

Me këtë rast, ajo ka deklaruar se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor, 2023/2024.

“Edhe sivjet tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen sipas praktikës së vitit të kaluar, pra subvencionimit të prindërve të cilët do të kenë mundësi të aplikojnë (për subvencionim) që nesër” – ka thënë Nagavci.

Ajo ka bërë të ditur se tashmë kanë aprovuar listën e teksteve shkollore që do t’i blejnë nxënësit.

“Këto lista që i kemi pranuar nga drejtoritë komunale të Arsimit do t’i publikojmë edhe në uebfaqe të Ministrisë së Arsimit” – tha Nagavci.

Ndryshe nga subvencionimi i blerjes së librave në vitin shkollor 2023/2024, për vitin shkollor 2024/2025 ministrja Nagavci tha se prindërit e nxënësve të klasave 1 deri 5 do të subvencionohen me shumën prej 80 eurosh për blerjen e librave, kurse prindërit e nxënësve të klasave 6 deri 9 do të subvencionohen me vlerën prej 110 eurosh.

Ekipi i KALLXO.com ka parë se në mbledhjen e ministres Nagavci ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi dhe këta drejtorë të Arsimit: Muhamet Gjoka (DKA Drenas), Jehona Lushaku (DKA Prishtinë), Besnik Hulaj (DKA Deçan), Afrim Llabjani (DKA Ferizaj), Kastriot Duraku (DKA Skenderaj), Rexhep Zeka (DKA Obiliq), Drita Kadriu (DKA Mitrovicë e Jugut), Avni Fetahu (DKA Podujevë), Zeni Krasniqi (DKA Dragash), Remzi Bajselmani (DKA Suharekë).

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, edhe më 21.08.2023 kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova me qëllim të rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike.

Lidhur me subvenciminin e librave për vitin e kaluar shkollor janë ngrehur dyshime nga opozita në Kuvendin e Kosovës. Për këtë qëllim në Kuvend është krijuar një komision i veçantë hetimor që po merret me hulumtimin e rastit- nëse ka pasur ose jo keqpërdorime në këtë proces.