Nagavci e SBASHK takohen dhe flasin për Ligjin për Paga

Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës janë takuar sot me Ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ku kanë diskutuar shqetësimet dhe kërkesat që ka SBASHKU.

Përfaqësuesit e SBASHK i kanë kërkuar ministres Nagavci që ta procedojnë sa më shpejtë ligjin për paga për në Parlament.

“U kërkuar [nga SBASHKU] që Qeveria të punojë për përmirësimin e lëshimeve dhe në takime me sindikatat të përgatis sa më shpejt këtë Ligj për ta proceduar në Parlamentin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e SBASHKU-t.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri kanë thënë se presim takim me Ministrin Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në mënyrë që të debatohet dhe të gjendet zgjedhje për kërkesat dhe shqetësimet që ata kanë.

“Përfaqësuesit e SBASHK-ut janë deklaruar se komunikimi dhe bashkëpunimi mes SBASHK dhe MASHTI në shërbim të arsimit është shembull i mirë, por një komunikim e bashkëpunim i tillë duhet të jetë edhe me Ministrin Murati, por edhe me Qeverinë në tërësi”, thuhet në njoftim.

Një tjetër kërkesë në këtë takim është edhe që Qeveria të ndaj një mbështetje buxhetore për punëtorët tekniko –ndihmës dhe për të punësuarit tjerë që kanë paga të ulëta me qëllim që ata më lehtë të përballojnë ngritjen e vazhdueshme të çmimeve.

Në njoftim thuhet se Ministrja Nagavci është shprehur se do të analizoj me kujdes kërkesat dhe se do të angazhohet për të krijuar mundësi për takime e dialog të mirëfilltë mes SBASHK-ut , Ministrit Murati, por edhe të Qeverisë së Kosovës në tërësi.

Në prill të këtij viti, ministrja Nagavci kishte deklaruar se Qeveria Kurti nuk do të bjerë pre e ‘ultimatumeve’ për greva të Sindikatës së Bashkuar për Arsim duke thënë se “koha e kërcënimeve dhe shantazheve ka përfunduar”.

Ministrja e Arsimit për SBAShK-un: Koha e kërcënimeve ka përfunduar