Nagavci: Duhet shumë punë për përmirësimin e arsimit në Kosovë

Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit duke raportuar në Komisionin për Integrim Evropian rreth çështjeve që janë përmendur në Raportin e Progresit për arsimin në Kosovë, tha se përmirësimi i cilësisë së arsimit në Kosovë ka nevojë për shumë punë.

“Duhet punuar shumë më shumë për të përmirësuar gjendjen. Do të përmendi edhe përmirësimin në lidhje me edukimin primar, të hershëm dhe edukimin parauniversitar, është përmendur për transparencën në arsimin parauniversitar. Janë përmendur po ashtu edhe organizimi i trajnimeve për anëtarët që kanë me u marr me fëmijët me nevoja të veçanta. Një e gjetur pozitive është edhe alokimi i buxhetit për vitin e ardhshëm fiskal. Është përmendur edhe puna që është bërë me asistentët për fëmijët me nevoja të veçanta”, ka thënë Nagavci në komision.

Ajo ka përmendur edhe ndarjen e teksteve shkollore, duke nënvizuar se për herë të parë janë duke u ofruar libra në gjuhën boshnjake dhe turke.

“MASHTI ka bërë ndarjen e teksteve shkollore sipas kërkesave të drejtorive komunale, për herë të parë janë ofruar edhe tekste në gjuhen boshnjake dhe turke. Për çdo ankesë që kemi pasur, ne i kemi adresuar në drejtoritë Komunale të Arsimit, dhe kemi dërguar edhe komisionet në shkolla. I kemi disa veprime konkrete, janë në proces 4 ligje shumë të rëndësishme, me anë të të cilave synojmë të ndikojmë në përmirësimin e cilësisë së arsimit, po ashtu i kemi edhe disa udhëzime, dhe po ashtu jemi duke punuar në shtimin e kapaciteteve të inspektorëve, është shpallë konkursi, për shkak që departamenti ka një mungesë të madhe të kapaciteteve”, ka thënë më tej Nagavci para deputetëve.