Nagavci: Do t’i ruajmë vendet e punës për mësimdhënësit

Ministrja e Arsimit, Shkences, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, në një debat të organizuar nga Lëvizja ‘FOL’, ka thënë se sfidë për qeverisjen në 4 vitet e ardhshme do të jetë rreziku që mësimdhënësit të mbesin pa punë, për shkak të uljes së natalitetit.

Nagavci ka thënë se përmes grantit specifik në arsim, është planifikuar ruajtja e vendeve të punës për mësimdhënësit.

“Sfidë për ne është që 1 mijë e 800 mësimdhënës rrezikonin të mbesnin pa punë për shkak të uljes së natalitetit dhe largimit të fëmijëve në vendet e tjera dhe me grantin specifik për arsim, kemi planifikuar që të ruajmë të gjitha vendet e punës për mësimdhënësit ekzistues”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka thënë se qëllimi strategjik i ministrisë, është menaxhimi i cilësisë në arsimin e lartë, si dhe dyfishimi i numrit të çerdheve nëpër komuna.

“Në planin tonë është edhe aftësimi profesional dhe mundësia e implementimit të mësimit dual, si dhe në drejtimet që kanë të bëjnë me bizneset, të bëjnë praktikë”, tha ajo.

Nagavci tha se në arsimin e lartë duhet të ketë integritet akademik, sipas saj, duke respektuar pavarësinë e institucioneve dhe agjencisë së akreditimit.

“Do të jemi aty për të monitoruar secilin proces, si shkenca dhe inovacioni. Gjithashtu, kemi filluar disa proceduar që të kemi organet që të zhvillohemi në këtë drejtim”, tha Nagavci.

Ministrja e Arsimit mes tjerash po ashtu ka premtuar se brenda vitit do të jetë i gatshëm ligji për tekstet shkollore.

“ Rishikimi i teksteve do te ndodhë patjetër, si e kam marrë punen e kam gjetur në proces konkursin për tekstet e reja shkollore dhe ne e kemi vendosur që në agjendën legjislative që brenda këtij vitit të përfundojmë ligjin për tekste shkollore”, tha Nagavci.