Ilustrim

Nagavci: Do t'i angazhojmë nga 100 asistentë për 4 vitet e ardhshme për fëmijët me nevoja të veçanta

Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit ka thënë se janë duke punuar për angazhimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta gjatë vitit 2022.

Nagavci tha kështu gjatë raportimit të saj në Komisionin parlamentar për Integrim Evropian. Ajo ka shtuar se qeveria e Kosovës ka në plan që t’i angazhojë nga 100 asistentë në vit për 4 vjet qeverisje.

“Është një numër i madh i fëmijëve dhe familjeve, të cilët nuk e kanë dorën e shtetit sepse nuk kanë asistent. Gjë e mirë është që si Qeveri kemi paraparë punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta. Mjetet financiare për këtë angazhim do t’u ndahen komunave. Punësimi i 100 asistentëve në nivel vendi për vitin 2022. Për 4 vitet e qeverisë sonë do të punësohen nga 100 asistentë për 4 vitet e ardhshme. Jemi duke shikuar mundësinë që të ofrohen shërbime më të mira për të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta”, ka thënë Nagavci.