Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci: Do e largojmë pagesën për çerdhe për familjet me kushte të rënda ekonomike

Kandidatja për deputete nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se do të largojnë tërësisht pagesën për çerdhe për familjet që kanë gjendjen e rëndë ekonomike.

“Ne kemi planifikuar të largojmë pagesën për familjet në gjendje të rëndë ekonomike. Ato familje që janë me më pak të ardhura ekonomike, do të lirohen tërësisht nga pagesa për edukim të hershëm”, tha Nagavci në DebatPernime.

Nagavci tha se përpos që do të përshtatin objektet ekzistuese për çerdhe, do të ndërtojnë edhe çerdhe të reja.

Albin Kurti së bashku me ekipin e tij, Glauk Konjufca, Arben Vitia, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli, Jeta Statovci, Mimoza Kusari, Rozeta Hajdari nga Lëvizja Vetëvendosje, sonte janë të ftuar në #DebatPernime.

Cila është oferta e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Cilat janë planet e Albin Kurtit dhe ekipit që ai i udhëheq për luftimin e korrupsionit?

A do të jetë kryeministër ai pas zgjedhjeve të 14 shkurtit?

Siç dihet, Kurti nuk është certifikuar në listën e Vetëvendosjes nga ana e KQZ-së, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ai mbeti përfundimisht jashtë listës së votuesve.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dorëzuar KQZ-së, listë të re edhe pas vendimit të Supremes, duke e lënë kështu listën e njëjtë.

Cikli i #DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.