Nagavci: Arsimi – parakusht për zhvillim

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit tha se Qeveria e konsideron arsimin si parakusht për zhvillim.

“Për Qeverinë tonë arsimi është parakusht për zhvillim, andaj po punojmë me përkushtim, me plane e aktivitete konkrete që sistemi ynë të përmirësohet në të gjitha nivelet e të gjitha sferat e arsimit”, tha ajo përmes një postimi në Facebook.

Ajo shtoi se Qeveria synon  rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm.

“Po punojmë që  fëmijëve me nevoja të veçanta dhe komuniteteve t’u ofrojmë jo vetëm gjithpërfshirje, por edhe mundësi të barabarta”, tha Nagavci.

“Dita Ndërkombëtare e Arsimit, edhe sivjet gjen nxënësit, mësimdhënësit, shkollat tona e secilin nga ne, duke u ballafaquar me shumë sfida për shkak të pandemisë. Por puna po vazhdon e sfidat do t’i tejkalojmë. Do ta bëjmë më të mirën për shkollarët tanë, e për mësimdhënësit do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme që bashkërisht të arrimë rezultate sa më të mira”, shtoi ajo më tej.

Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në takimin e saj të mbajtur më 3 dhjetor të vitit 2018, ka shpallur 24 janarin si Ditë Ndërkombëtare të Arsimit duke përkujtuar rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global, si dhe duke riafirmuar me këtë rast edhe faktin se “Arsimi është një e drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi kolektive.”

Në anën tjetër, Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2021, kishte vënë në pah që sistemi i arsimit në Kosovë po vazhdon të mbetet si një nga sektorët më së paku të zhvilluara ndër vite.

Ky raport ka theksuar për të dytën herë se shteti investon dhe harxhon shumë pak në arsim, apo 4.7% të Bruto Produktit Vendor(BPV).

Ndërsa, sipas rezultateve të testit PISA të vitit 2018, nxënësit në Kosovë shënuan rezultate më të ulëta se mesatarja e OECD-së në lexim, matematikë dhe shkencë.

Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangoi Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo la pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

Në thellësi, çfarë thonë rezultatet e testit PISA për Kosovën

.