Myzafere Limani emërohet anëtare e Këshillit Drejtues të UP-së

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, në përputhje me mandatin e saj ligjor, e ka emëruar anëtare të Këshillit Drejtues të Universitetit “Hasan Prishtina” të Prishtinës Myzafere Limanin.

Gjatë ditës, Bajrami e ka pritur në takim anëtaren e re të Këshillit Drejtues, me të cilën ka biseduar rreth gjendjes në arsimin e lartë dhe bashkëpunimin me universitetet publike për ta ngritur cilësinë në arsimin e lartë publik, thuhet në njoftimin e MAShT-it.

Vendimin për emërimin e profesoreshës Limani anëtare në Këshill Drejtues ministrja Bajrami e ka marrë duke u bazuar në kontributin e saj shumëvjeçar si mësimdhënëse në Universitet, punën shkencore dhe akademike, si dhe përvojën e saj të suksesshme në menaxhim.

Emërimi i Limanit në KD të UP-së erdhi pasi që nga ky këshill dha dorëheqje, ish-anëtarja Laura Kryeziu Selimi.

Limani është shefe e Departamentit të Elektronikës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Ajo është mësimdhënëse në nivelin Bachelor dhe Master.