Mytaher Haskuka tregon se ç'do të bëhet me shtatoret e Gjergj Kastriotit dhe Adem Jasharit

I pari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka reaguar pas kritikave dhe debateve që kanë ngjallur dy shtatoret e vendosura në Prizren.

Haskuka ka sqaruar se asnjëra nga dy shtatoret nuk është financuar nga Komuna e Prizrenit.

“Sa i përket shtatores së Gjergj Kastriotit, ajo nuk është realizuar me tender e as me para të komunës, prandaj nuk ka asnjë të vërtetë te insinuatat për vjedhje apo për përzgjedhje të artistit realizues. Ajo shtatore është bërë prej shoqatës së diasporës “Trojet e Arbrit”, të cilët kanë përzgjedhur artistin dhe kanë realizuar me mjetet e tyre monumentin dhe të cilët i falënderoj shumë për kontributin e madh. Komuna, sipas marrëveshjes, ka ofruar vendin dhe realizimin e piedestalit, dhe në projekt kemi realizimin e një sheshi, përreth monumentit.

Tutje ai ka bërë të ditur se do të themelojnë një komision për këtë çështje “të përbërë nga profesorë të artit, urbanistikës dhe të historisë i cili do të ketë për detyrë të sjellë një raport këshillues, se si duhet vepruar me shtatoren, dhe çka duhet të bëjmë me të”.

“Sa i përket shtatores së Adem Jasharit, ajo nuk është vendosur në pronë publike e as nuk është realizuar si projekt publik. Ajo është vendosur brenda një qendre tregtare dhe është realizuar prej asaj qendre, me miratimin e disa përfaqësuesve të familjes Jashari. Ne jemi njoftuar me veprën vetëm pasi që ajo është vendosur aty, njësoj si gjithë publiku tjetër”, thuhet në njoftim.

Haskuka ka njoftuar se Komuna e Prizrenit ka ndarë fonde për të ndërtuar një “monument” publik në nder të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit.

Këto dy shtatore ishin përuar më 28 nëntor, në nder të ditës së flamurit por që të njejtat ishin përcjellë me kritika të shumëta për mënyrën se si ato janë ndërtuar.

Sot gjatë ditës është njoftuar se shtatorja e Adem Jasharit do të largohet nesër.