Mytaher Haskuka akuzon asamblistët e partisë së tij për sabotim të projekteve për Prizrenin

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tashmë ka filluar të ketë probleme edhe me asamblistët e partisë së tij për kalimin e projekteve në Asamblenë Komunale.

Haskuka sot gjatë ditës ka reaguar në lidhje me një projekt të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), i cili nuk ka marrë votat e mjaftueshme në Asamble që të kalojë.

Haskuka ka akuzuar, në mes të tjerëve, edhe asamblistët e partisë së tij – Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Haskukës, asamblistët e LVV-së janë duke bashkëpunuar me partitë opozitare për t’i bllokuar projektet komunale.

“Është për keqardhje që jo për herë të parë edhe disa asamblistë të VETËVENDOSJES koordinohen me këta të PDKsë, LDKsë, NISMAs dhe AAKsë, për sabotimin e projekteve qeveritare”, ka shkruar Haskuka në lidhje me moskalimin e grantit dhe kredisë afatgjate për efiçiencë të energjisë.

Në lidhje me këtë publikim, në foltoren e Asamblesë, ka reaguar asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Karanfil Haxhillari.

Haxhillari me tone të ashpra i është përgjigjur Haskukës në lidhje me bërjen e numrave për kalimin e pikave të rendit të ditës në mbledhjet e Asamblesë. Po ashtu, ai ka thënë se Haskuka ka humbur vetë numrat, duke prishur koalicionin me partitë e tjera.

“Për mungesën e numrave në Kuvend, kryetar nuk ta ka fajin as kuvendari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as Lëvizja Vetëvendosje, pasi pa asnjë konsultim me ta i ke humbur vetë numrat. Qe tri vite e gjysmë kuvendarët e Vetëvendosjes i kanë votuar të gjitha pikat e rendit të ditës edhe pse asnjëherë nuk jeni konsultuar asgjë me këta kuvendarë. Për këtë akuzë, turp të qoftë kryetar! Të sulmosh anëtarët e subjektit tënd, pa asnjë fakt, vërtetë është për të ardhur keq. Këta kuvendarë që i përbuzë për tri vite e gjysmë, gjithë pikat e rendit të ditës në Kuvend janë hedhur pa u konsultuar me grupin e kuvendarëve, kjo akuzë e rëndë, do të trajtohet edhe në organet e partisë dhe do të ballafaqohemi aty”, ka thënë Haxhillari.

Haskuka ka reaguar edhe në lidhje me propozim-vendimin për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim për organizatat e shoqërisë civile.

Kujtojmë se pozita e kryesuesit të Asamblesë Komunale u bë “mollë sherri” ndërmjet dy subjekteve në partneritet.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ndonëse kishin qeverisur për dy vjet në Prizren, kanë ndarë rrugët tash një vit, në shkurt të vitit 2020.

Këtyre dy subjekteve në zgjedhjet e fundit lokale iu bashku edhe Nisma Socialdemokrate, që së bashku larguan Partinë Demokratike të Kosovës, e cila kishte krijuar bastion në Prizren, duke qeverisur për 11 vjet radhazi.